Conte: Unë te PSG? Totalisht e pavërtetë

0Pas zërave sensacionalë që kanë bërë xhiron në pak orë vjen edhe përgënjeshtrimi, madje me këmbëngulje dhe nervozizëm sepse Antonio Contes i është prishur humori për të pavërtetat që thuhen rreth tij.

A do të shkojë ish trajneri i Juventusit te Paris Saint Germain? As që mund të mendohet diçka e tillë, të paktën duke iu referuar sqarimit të prerë nga vetë Conte.

“E kam marrë vesh lajmin nga një e përditshme sportive, ndërkohë që ndodhem me pushime. Pa asnjë specifikim është thënë se përfaqësuesi im është në kontakte me Paris Saint Germain. Realiteti është se nuk kam ndonjë përfaqësues apo agjent. Ky lajm është devijim nga çdo e vërtetë dhe unë kam mbetur i befasuar nga përhapja kaq e shpejtë e këtyre zërave”, thuhet në mesazhin e Contes, i cili ka nxituar të sqarojë njëherë e mirë mediat italiane.

Pra nuk është ish trajneri i bardhezinjve kandidati i mundshëm për zëvendësimin e Laurent Blanc te parizienët. Një gjë të tillë në fakt e mohuan edhe vetë drejtuesit e Parisit, të cilët ashtu si Conte shprehën habi për afrimin e teknikut 44-vjeçar pas divorcit me Juven.