Conte: Nuk largohem nga Juventus

loading...

conte

loading...
Antonio Conte sa vjen e fiksohet edhe më shumë me Europën, por me sa duket jo për të udhëtuar diku tjetër, por te fitorja e Ligës së Kampioneve. Për të arritur një sukses të tillë, sipas trajnerit të Juventusit, që betohet se nuk do largohet në verë, nevojiten shumë miliona. Prandaj, duke parë ekipin aktual ai nuk do që t’i zhgënjejë tifozët, duke i premtuar diçka që për momentin duket e pamundur.

“Për momentin nuk shoh asnjë mundësi që të largohem nga Juventusi në fund të sezonit. Vlerësimet e klubeve të mëdha europiane më ekzaltojnë, por ashtu siç më vlerësojnë mua, di që vlerësojnë shumë edhe futbollistët e mi, dhe kjo do të thotë se unë jam një trajner i mirë edhe falë tyre, falë punës në prapaskenë të klubit. Të gjithë së bashku po punojmë mirë dhe me presidentin Andrea Anjeli jemi në sintoni të plotë. Nëse mes nesh do kishte mosmarrëveshje, siç flitet, atëherë vështirë se do shihnit një Juventus në këto nivele, prandaj e falënderoj presidentin që vuri bast mbi mua dhe tani e në vazhdim dua ta shpërblej atë me trofe. Nëse më duhet të bëj një shembull, mendoj se ne jemi skuadra që i ngjason më shumë Bayernit të Mynihut, shembullit më të mirë aktual të futbollit botëror. Ky fakt më bën krenar që drejtoj në një klub si ky, por kjo nuk do të thotë që mund të bëjmë plane afatshkurtër. Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, të fitojmë sa më shumë dhe së shpejti të kemi një skuadër të denjë për të fituar edhe në Europë”, – vazhdon Conte.

Për sa i përket objektivave sezonalë, trajneri bardhezi nuk do që t’i gënjejë tifozët: “Gjithsecili bën planet e veta, por ne te Juventusi qëndrojmë me këmbë në tokë. Shumë na shohin mes favoritëve në Champions League, por dua të tregojmë kujdes me këto elozhe. Pa dyshim që ne do tentojmë të shkojmë sa më larg, por nëse shohim rivalët tanë, ata janë shumë herë më të fortë. Skuadra si Bayerni dhe Reali natyrisht që janë favorite, por ne jo, madje as PSG-ja e milionave jam i bindur që nuk është në nivelin e tyre. Natyrisht që ne kemi një grup të fortë, kompakt, por nëse do kishim 120-150 milionë euro në dispozicion për merkaton e verës, pa dyshim që mund të planifikonim fitoren e Champions-it të sezonit të ardhshëm. Por fatkeqësisht, shuma të tilla janë të pamundura për momentin. Thënë këtë, bëjmë mirë të përqendrohemi te kampionati. Ky është objektivi ynë real, titulli, dhe natyrisht që do të jetë i vështirë për t’u mbrojtur”.

“Allegri thotë se ne e kemi fituar titullin me 99.9 për qind? Mbase ai ka dashur të kopjojë Gallianin, por unë e di mirë që ai nuk është dorëzuar për titullin, nuk janë shumë larg nesh dhe me këtë ritëm që po mbajnë prej muajsh, bëjmë mirë që ta vlerësojmë maksimalisht Milanin, i cili ka shanse reale për t’u shpallur kampion”, – përfundoi trajneri i Juventusi.

loading...