Conte: Do bëhem Fergusoni i Juventusit

conte

Nga Catanzaro, ku është nderuar me çmimin “Ceravolo”, Antonio Conte siguron tifozët e Juves në lidhje me të ardhmen e tij. “Kur të mbaroj këtë rrugëtim, atëherë do të më lindë dëshira për t’u transferuar diku tjetër jashtë Italisë, por uroj që kjo ditë të jetë e largët, – ka thënë trajneri i bardhezinjve. – Unë, Fergusoni i Juves? Do të përpiqem të qëndroj po aq gjatë, për të arritur shumë fitore dhe t’i afrohem një figure kaq të jashtëzakonshme dhe legjendare si ai”.

Në Catanzaro, Conte është zënë ngusht nga afeksioni i tifozëve juventinë. “Populli bardhezi nuk është e nevojshme të më shfaqë kaq shumë afeksion. E di tashmë se sa të dhënë janë ndaj meje dhe ndaj skuadrës”.

“Ekziston dëshira për t’u rikthyer të fitojmë në Itali dhe për të realizuar ëndrrën Champions, por duhet të jemi të qetë, të përulur dhe të kuptojmë se kemi nisur një rrugëtim, për të cilin nevojitet durim, – ka vazhduar më tej ai. – Kemi nisur një rrugëtim nga disa vite ku, për shumë arsye, na është dashur të rinisim nga hiçi. Tashmë kemi ndërtuar diçka të rëndësishme për momentin, por edhe për të ardhmen. I kemi të gjitha bazat për të qenë protagonistë në Itali dhe jashtë saj”.

Sa i përket merkatos: “Do të flasim në fund të sezonit. Nëse e bëjmë që tani, më duket si ofendim për disa komponentë të skuadrës. Jam i kënaqur me këtë grup. Nëse do të na jepet mundësia të përmirësohemi sezonin tjetër, do ta bëjmë. Jemi gjithmonë në kërkim të lojtarëve të fortë, që besojnë më shumë te ‘ne’, se sa te ‘unë’, dmth te grupi, pasi vetëm kështu mund të kontribuosh në përmirësimin e një individi”.