Çitaku: Mos bini pre e trafikantëve!

Ministrja e Integrimeve Evropiane të Kosovës, Vlora Çitaku nuk i ka fajësuar qytetarët e Kosovës që po provojnë që të ikin në vendet perëndimore. Ajo ka vlerësuar se migrimi ilegal nuk është shkak, por është pasojë e kushteve të vështira.“E di shumë mirë që shumë qytetarë të vendit tim jetojnë në varfëri. E di shumë mirë që askush me vullnet e dëshirë nuk merr një rrugë të rrezikshme, e cila mund të përfundojë në fatalitet. E di po ashtu që duhet luftuar edhe shkakun edhe pasojat”, ka shkruar Çitaku në Facebook, transmeton Telegrafi.

Por, ministrja e Integrimeve Evropiane ka thënë se përkundër vështirësive, azili më nuk është opsion për qytetarët e Kosovës. Përveç kësaj, ajo ju ka bërë thirrje atyre që të mos bien pre e trafikantëve.

Çështja e migrimit ilegal është aktualizuar pas raportimeve se dhjetëra qytetarë të Kosovës po kalojnë transit nëpër Serbi duke synuar që të arrijnë në Hungari, për të ikur më pas drejt vendeve tjera të Evropës.

Kosova së fundi ka marrë miratimin për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, por kosovarët mbesin qytetarët e vetëm në rajon që nuk mund të lëvizin lirshëm për shkak se vendi nuk ka marrë liberalizimin e vizave./LajmeOnline/