Chelsea në gjysmëfinale, Real kualifikohet me vuajtje – VIDEO

0

Champions i çmendur. E kush do ta kishte menduar se Chelsea do të bënte ëndrrën realitet ndërsa Borussia Dortmund do të ndalej vetëm nga një shtyllë dhe Iker Casillas në rrugën drejt 4 më të mirave të Europës. Blutë e Londrës kthyen në favorin e tyre disavantazhin 3-1 të ndeshjes së parë në Paris, duke fituar 2-0 me nga një gol në çdo pjesë që e katapulton kështu ekipin e Jose Mourinhos në gjysmëfinale. Nga ana tjetër, Real Madrid rrezikoi eliminimin pas ndeshjes më të shëmtuar të sezonit kur Borussia e Dortmundit bëri gjithçka për t’i kthyer reston e tre golave të një jave më parë por u ndal në kuotën 2, çka i jep të drejtë matematike skuadrës “Los Blancos”. Mkitaryan shpërdoroi raste fillestarësh, ndërsa Ancelotti bën mirë të ketë mbajtur shënime sepse më i miri për skuadrën e tij rezultoi Iker Casillas dhe ky detaj thotë gjithçka. Në Londër, Paris Saint Germain vuajti gjatë gjithë 90 minutave mungesën e eksperiencës dhe të Ibrahimovic, duke iu nënshtruar fatit në “Stamford Bridge” që do ta mbajë mend gjatë mbrëmjen e së martës sepse kjo fitore është e “Special One”, i cili hodhi në fushë një skuadër të duruar për të gjetur rrugën e rrjetës. Chelsea nuk u nxitua për të gjetur avantazhin duke e nisur ndeshjen me një ritëm të ulët. Kur kishin kaluar 18 minuta nga starti, Jose Mourinho u detyrua të nxirrte nga fusha të dëmtuarin Hazard duke e zëvendësuar me gjermanin Schurrle. 10 minuta më pas Lampard dha sinjalin e parë në portën e parizienëve por Sirigu i mohoi kënaqësinë e golit, ndërsa pak sekonda më vonë portieri italian bllokoi goditjen e David Luiz. Kur kishin kaluar vetëm 32 minuta, Chelsea gjeti golin e avantazhit me sulmuesin Schurrle, i cili përfitoi nga një pasim i David Luiz dhe në zonën e rreptësisë nuk gaboi duke ngjallur shpresat e “Stamford Bridge”. Goli i dytë për londinezët mund të kishte ardhur pak minuta më vonë por goditja e Gary Cahill nuk gjeti pasqyrën e portës. “Blutë” e Londrës me besimin e rikthyer te kualifikimi tronditën traversën e Sirigu minutat e para të pjesës së dytë fillimisht me Schurrle dhe më pas me Oscar duke ngjallur panik në radhët e parizienëve.

Pritjen e parë të ndeshjes Cech e bëri në minutën e 57-të pas një goditjeje dënimi nga e majta e sulmit të francezëve, ndërsa Cavani gaboi në finalizim në minutën e 77-të. Por fati shkoi në këmbët e Demba Ba vetëm tre minuta nga fishkëllima finale. Sulmuesi senegalez përfitoi nga një top i çuditshëm në afërsi të vijës fatale duke zgjatur këmbën që ngriti në qiell tifozët e Chelseat. 2-0, por llogaritë mbyllen pas një pritjeje gati gati heroike të Petr Cech në minutën e 5 shtesë. Chelsea dhe Jose Mourinho hidhen në krahët e lavdisë sepse festa është për skuadrën londineze. Në takimin e luajtur në Gjermani. Reali i Madridit u shfaq i zhdërvjellët në aksione gjatë minutave të para duke fituar një 11-metërsh që në minutën e 16-të por Angel Di Maria humbi ekuilibrin duke goditur lehtë topin e pritur nga Veidenfeler. Kur nuk shënon pëson dhe këtë fat patën djemtë e Ancelottit në minutën e 24-rt kur Pepe dha një asist perfekt për Marco Reus, i cili u tregua i ftohtë përballë Iker Casillas. 1-0 dhe kaq mjaftoi që “Vestfalen Stadion” të ndizej flakë duke ngrohur shpirtin e të besuarve të Klopp të cilët u frymëzuan nga dyshja Leëandoëski-Reus ku ky i fundit sigloi rrjetën e dytë personale. Reali dukshëm në vështirësi u përpoq të kontrollonte takimin në pjesën e dytë por emocionet dhe nervozizmi dominoi dukshëm spannjollët pasi Xabi Alonso rrezikoi kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje të rrezikshme ndaj Mkitaryan. Në të 60-ën, Hummels bëri mrekullinë pasi bllokoi me sukses Benzema, i cili po shkonte drejt portës së Borussias i vetëm. Ishte Mkhitaryan që bëri gafën e mbrëmjes së çmendur duke gabuar një gol të sigurt pas asistit që mori nga Marco Reus. Armeni kaloi edhe Iker Casillas por e djathta e tij gërvishti shtyllën e djathtë të gardianit spanjoll.

Që nuk ishte mbremja e Mkhitaryan kjo u duk qartë edhe pak sekonda më vonë pasi goditja e sulmuesit u bllokua nga Casillas. Për ata që vuanjnë nga zemra ndeshja e “Vestfalen Stadion” nuk këshillohej sepse Greuskreutz drodhi sërish zemrat e tifozëve pasi u shfaq i vetëm përballë Casillas por gardiani i kampionëve të botës u tregua sërish në lartësinë e duhur. Reali u bë i gjallë 10 minuta nga fundi me Benzema që lëshoi një silur nga larg që u grushtua nga Veidenfeler. Minutat e ferrit për Realin e Madridit përfunduan në fishkëllimën e fundit të arbitrit Skomina. Reali i Madridit pa Cristiano Ronaldon rrezikoi shumë në një përballje që mund të shkatërronte brenda një nate kështjellën e ndërtuar nga Carlo Ancelotti, ndërsa Borussia e Dortmundit fitoi zemrën e publikut me një ndeshje që do të mbahet mend gjatë nga ata që e përjetuan si në “Vestfalen Stadion”, ashtu edhe jashtë saj.

Borussia Dortmund 2-0 Real Madrid

Chelsea 2-0 PSG