Ch. League, reagimet pas shortit

12812

Menjëherë pas hedhjes së shortit, përfaqësuesit e skuadrave janë shprehur njëzëri entuziastë që ekipet e tyre ndodhen mes 8 më të mirave, por nga ana tjetër nuk u zhbalancuan, duke kërkuar përqëndrim gjatë 180 minutave. Drejtori sportiv i Paris Saint Germain, Leonardo, e shikon përballjen me Barcelonën si një festë për qytetin, por ai gjithashtu nuk e cilëson të pamundur kalimin e skuadrës katalanase.

“Do të përballemi me ekipin më të mirë jo vetëm sepse eliminoi Milanin por për atë që ka treguar gjatë viteve të fundit. Nuk do të jetë e lehtë, por kualifikimi është i mundur, por jam i sigurt Parisi do të shijojë një festë të madhe”.

Nga ana tjetër, homologu i tij, Andoni Zubizarreta, paralajmëron katalanasit për cilësitë e skuadrës franceze.

“Ekipet që ndodhen në çerekfinale e meritojnë të jenë mes më të mirave. Shorti për ne është i mirë dhe i keq njëkohësisht sepse PSG ka lojtarë shumë të aftë që dinë si të përshtaten në fushë. Jam i sigurt se kualifikimi do të luhet deri në minutën e fundit”.

Me nota optimizmi shprehet drejtori sportiv i Borussia Dortmund, Michael Zorc, skuadra e të cilit peshkoi një kundërshtar të lehtë në letër si Malaga.

“Mund të them se jemi të kënaqur me shortin dhe nuk duhet të ankohemi që kemi përballë një kundërshtar si Malaga”.

Ndërsa Bayerni i Mynihut bazohet te e shkuara për të mos e marrë aspak lehtë përballjen me Juventusin. Ja se si shprehet administratori i deleguar, Karl-Heinz Rummenigge.

“Statistikisht nuk kemi eksperienca pozitive ndaj Juventusit dhe mendoj se do të jetë shumë e vështirë. Dyhet tyë zhvillojmë dy ndeshje në nivel të lartë për të arritur në gjysmëfinale”.

Pavel Nedved i trembet më shumë eksperiencës që gjigandët e Bavarisë kanë në një kompeticion të tillë.

“Jam shumë krenar sepse Juventusi është e vetmja skuadër italiane e mbetur në garë, ndërsa përsa i përket shortit nuk di çfarë të them sepse Bayerni është një nga skuadrat më të rrezikshme me të cilën mund të shortoheshim. Ata janë mësuar të luajnë në këto nivele prej vitesh dhe janë shumë të fortë”.

Përballjen e Realit me Galatasarayin nuk e shikon të lehtë Emilio Butragueno. Drejtori i skuadrës “merengues” kërkon një rezultat sa më pozitiv në ndeshjene parë për t’i bërë ballë furisë së tifozëve turq në ndeshjen e kthimit që do të luhet në “Ali Samijen”.

“Në këtë fazë nuk ka ndeshje të lehta, prandaj besoj se do të kemi dy përballje të forta dhe nuk mund ta nënvleftësijmë një skuadër si Galatasaray. Kemi ndeshjen e parë në shtëpi dhe duhet të arrijmë një rezultat pozitiv për të udhëtuar të qetë drejt Turqisë. Galatasaray ka tifozë fantastike dhe në Stambioll nuk do ta kemi të lehtë. Gjithsesi, objektivi jonë mbetet fitorja e titullit të dhjetë”.