Ch. League, përcaktohen çiftet çerekfinaliste

2195

Champions League është një kompeticion, ku përveç zotësisë, ndonjëherë duhet të kesh dhe fatin me vete. Dhe në shortin e çerekfinaleve të Uefa Champions League, fati i buzëqesh ekipeve spanjolle, të cilat në letër kanë gjetur përballë kundërshtarë të kalueshëm dhe jo shumë impenjativ, dhe pse në këtë kompeticion është mirë të mos bësh asnjëherë llogari. Në fakt sfida më e nxehtë parashikohet ajo mes Bajernit të Mynihut dhe Juventusit.

Duart e Mekmanaman, nuk u treguan të buta, me bardhezinjtë që gjetën përballë një prej rivalëve të tyre, më të frikshëm dhe njëkohësisht dhe skuadrën e fundit, që i ka nxjerrë jashtë këtij kompeticioni, pasi i mundte 4-1 në Torino, në sezonin 2009-2010, në fazën e grupeve duke i lënë me gisht në gojë. Ndeshja e parë do të luhet në Allianz Arena, dhe ky mund të jetë një favor për Juventusin, që gjithsesi këto vitet e fundit ka humbur disi në emër në arenën europiane krahasuar me rivalët gjermanë. Kaprico e fatit, nuk i ka pëlqyer sigurisht as Gallatasarajit dhe Paris Sent Zhermenit, që gjejnë përballë dy pretendentët kryesorë për fitoren finale, Realin e Madridit dhe Barcelonën. Sigurisht që parizienët kërkojnë të vendosin emrin e tyre në hartën e futbollit që vlen në Europë, por Barcelonën me siguri do të kishin preferuar ta evitonin. Në letër katalanasit janë të favorizuar, por ishin dhe në 1995, atëherë kur Leonardo, vishte kostumin e futbollistit të skuadrës franceze, që i eleminonte blaugranat nga kompeticioni prestigjoz.

Ndërkohë që Reali, pasi nxorri jashtë Man. United, peshkoi një rival jo të vështirë në çerekfinale, si Gallatasaraj. Drejtuesit turq në momentin kur u shortuan me Los Blancos, i buzëqeshën me ironi fatit të tyre, ndërsa buzëqeshje rezervoi dhe cifti i fundit i cerekfinaleve, me Joachim Watzken, që nuk e fshehu gëzimin për faktin, që në cerekfinale Borusia e Dortmundit do të gjejë përballë spanjollët e Malagas, sigurisht ekipi jo më i lehtë që shorti mund ti rezervonte, por njëkohsisht as më i vështiri. Se kush do të vazhdojë më tej rrugëtimin në këtë kompeticion, këtë do ta mësojmë në datat 2-3 prill për ndeshjet e vajtjes, dhe 9 dhe 10 prill për ato të kthimit.