Çfarë po ndodhë me Obamën dhe Izraelin?

step5

Presidenti Barack Obama i ka bërë të ditur kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se Shtetet e Bashkuara do të “rivlerësojnë” disa aspekte të marrëdhënieve bilaterale me Izraelin, pas deklaratave provokative të Netanyahut pas fitores në zgjedhjet e së martës.

Telefonata e së enjtes u përshkrua zyrtarisht si një mesazh urimi për fitoren e Netanyahut, por ajo përmbante gjithashtu edhe një paralajmërim serioz, duke qenë se kryeministri izraelit kundërshtoi krijimin e një shteti palestinez gjatë ditëve të fundit të fushatës së tij.

“Presidenti i tha kryeministrit se ka ardhur koha të rivlerësojmë opsionet tona pas pozicioneve të reja të marra nga kryeministri izraelit, si dhe komenteve të bëra në lidhje me zgjidhjen dyshtetërore”, bëhet e ditur nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë, një deklaratë zyrtare e nxjerrë pas kësaj telefonate, bënte të ditur se Presidenti theksoi edhe njëherë qëndrimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara “të angazhimit për një zgjidhje dyshtetërore” gjatë bisedës së tyre.

Mëngjesin e së enjtes, Netanyahu u rikthye sërish te mospranimi prej tij i zgjidhjes dyshtetërore, një pozicion që ai nxorri në pah në përpjekje për të apeluar ndaj votuesve të djathtë, në një moment kur sondazhet tregonin një përballje kokë më kokë në garën elektorale.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë gjithashtu se kanë qenë në pritje për të parë nëse Netanyahu do t’u qëndrojë ende komenteve të bëra gjatë fushatës, duke sfumuar ekzistencën e një shteti palestinez, teksa tashmë do t’i duhet të formojë një koalicion qeverisës.

“Nuk dua një zgjidhje njështetërore. Dua një zgjidhje të qëndrueshme e paqësore dyshtetërore”, tha Netanyahu të enjten, gjatë një interviste për median amerikane MSNBC. “Nuk kam ndryshuar politikën time”, transmeton TopChannel.

Sekretari për shtyp i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, duke folur përpara bisedës telefonike, u ndal pak në këtë çështje duke thënë se rivlerësimi i SHBA-ve do të përfshijë edhe ofrimin e mbështetjes ndaj rezolutës së Kombeve të Bashkuara, që bën thirrje për krijimin e një shteti palestinez. Rezoluta në fjalë kundërshtohet nga Jeruzalemi, por zyrtarët amerikanë e kanë marrë në konsideratë si një mundësi për shkak të deklaratave të Netanyahut.

Komentet e Netanyahut gjatë së hënës u panë si pjesë kyçe e triumfit zgjedhor gjatë së martës, por ngritën gjithashtu “shqetësime domethënëse” mes zyrtarëve të lartë të administratës amerikane në Uashington, të cilët e panë përjashtimin e zgjidhjes dyshtetërore si një tronditje të marrëdhënieve SHBA-Izrael, pasi kjo bie ndesh me politikën amerikane prej më shumë se një dekadë.

Të enjten, Netanyahu tha se komentet e tij ishin reflektim i ndryshimit të kushteve ndaj palës palestineze, duke iu referuar paktit të presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, për të formuar një qeveri uniteti me Hamasin, të cilin vetë Izraeli, SHBA-të dhe shumica e vendeve europiane e konsiderojnë si një organizatë terroriste. Ai kërkoi nga udhëheqësit palestinezë që të krijojnë kushtet e përshtatshme për paqen.

“Jam duke folur në lidhje me atë që mund të arrihet dhe atë që nuk mund të arrihet, – tha Netanyahu gjatë së enjtes. – Nëse doni që të arrihet paqja, duhet të bindni udhëheqësit palestinezë të braktisin paktin e tyre me Hamasin dhe të futen në negociata të sinqerta me

Izraelin”.