Çfarë është vazelina dhe pse duhet te perdoret ? – Këshilla farmaceutike…

Vazelina (vazelinum) është një përzierje hidrokarburesh të ngurta që përftohet nga pastrimi i mbetjeve të distilimit të naftës. Është masë e bardhë ose e verdhë, gjysmë e tejdukshme në shtresë të hollë, dhe në disa raste opake në shtresë të trashë.

Nuk ka erë apo shije dhe është e yndyrshme në prekje. Vazelina nuk oksidohet në kontakt me ajrin, nuk sapunëzohet nga tretësirat alkaline, nuk pëson ndryshime nën ndikimin e acideve të përqëndruara dhe është e plogët nga ana kimike.

Tretet lehtë në eter, kloroform e benzen dhe nuk tretet në ujë, alkool apo glicerinë. Nga pikëpamja fiziologjike vazelina është e huaj për lëkurën sepse nuk ka afri (ngjashmëri) me yndyrën e epidermës, prandaj ajo nuk përthithet nga lëkura jonë, qëndron në sipërfaqe duke bllokuar edhe poret.

Literatura e sotme mjekësore këshillon që ajo të mos përdoret në sëmundjet akute, apo për qëllime kozmetike.