Çezma dyshekullore në kryeqytet mbulohet sërish

f1_cezme-jpg1357635118

Komunës së Prishtinës do t’i duhet të bëjë punë të dyfishtë në sheshin “Ibrahim Rugova”. Pllakat e mermerta që ka shtruar përmbi çezmën gati dyshekullore që ishte gjetur jo fort larg Teatrit Kombëtar të Kosovës duhen hequr. Për kreun e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut Rajonal të Prishtinës, Haxhi Mehmetaj, kjo punë e dyfishtë nuk ka qenë dashur të ndodhte. Edhe në Ministrinë e Kulturës thonë se Komuna ka zvarritur shumë punët për restaurimin dhe konservimin e monumentit që ishte cilësuar si gjetje interesante, që mund të kthehet në simbol të rrëfimit për “Çarshinë e vjetër” të Prishtinës. Ministria dhe Komuna kanë nënshkruar memorandum, në bazë të të cilit kjo e dyta zotohet të kryejë punët për konservimin e monumentit. E zyrtarë të Komunës garantojnë se punën do ta çojnë deri në fund.

Pllakat që janë vënë në hapësirën para Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë mbuluar gjithë hapësirën. Ato që janë vënë mbi çezmën kanë ngjyrë tjetër. Kjo është bërë për të identifikuar vendin ku është monumenti. Por Haxhi Mehmetaj, ka bindjen se nuk ka qenë dashur të vinte puna deri te kjo. (Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore.)