Çelaj: Do ta marrim Prishtinën, si Luli Tiranën

loading...

loading...
Drejtues të PDK-së në pushtet besojnë se në zgjedhjet e ardhshme lokale do ta rrëzojnë nga karrigia e kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ndërkohë që ky i fundit nuk e ka bërë të qartë nëse do të kandidojë prapë.

Partia në pushtet ka funksionalizuar Kabinetin e Qeverisjes së Mirë për Prishtinën dhe shpreson se në Mustafa do ta pësojë fatin e ish-kryetarit të Tiranës, Edi Rama, i cili i pati humbur zgjedhjet nga Lulzim Basha, pasi kishte qeverisur për dy mandate.

I pyetur se si a e kanë gjetur formulën që ta mposhtin Mustafën, përderisa dy betejat e mëhershme për kryeqytetin i kishin humbur keq, kryetari i PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, është shprehur se “edhe Edi Rama i cili i është një kryetar goxha i suksesshëm i Tiranës, megjithatë në mandatin e tretë pësoi humbje”.

“Elektorati ka evoluar në preferencat e tyre. Kjo është përshtypja që e marrim vazhdimisht nga ata”, shprehet Çelaj për Telegrafin.

Ndërkohë, ai ka thënë se ende nuk ka asgjë konkrete se cili do të jetë kandidati për të parin e kryeqytetit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Mediat e Kosovës kanë raportuar se asnjëri nga anëtarët “e fortë” të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk po tregon guxim që të garojë për kryetar të komunës së Prishtinës, në emër të kësaj partie. Ndërsa, është pikërisht debakli që Mustafa ia ka shkaktuar më parë kandidatit të PDK-së për Prishtinën, Astrit Salihu, që askush brenda partisë më të madhe në vend – që mbajnë poste ministrore në Qeverinë Thaçi – të mos jenë të gatshëm që t’i hyjë garës zgjedhore në kryeqytet.

“Jemi ende në proces të konsultave me qytetarët dhe më vonë do të vendosin për këtë gjë”, ka thënë Çelaj, i cili shton se tashmë janë “më të gatshëm dhe më të pjekur për të marrë qeverisjen në Prishtinë”.

loading...