Cana: Lazio nuk ka frikë nga Milani

cana

Ndeshja që do të shërbejë për të hequr shumë pikëpyetje rreth sezonit të Lazios po afron dhe Lorik Cana, zbulimi i vërtetë i Petkovic gjatë takimeve të fundit, nuk bën hapa pas, duke karikuar skuadrën për transfertën e “San Siros” kundër Milanit. Gjatë një eventi promovues në Romë, kapiteni kuqezi që ka marrë sërish nofkën “luftëtari” nga tifozët bardhekaltër, pranoi të fliste për gazetarët ku veçoi lidhjen me fansat e skuadrës kryeqytetase. Sipas tij, Lazio ka një tifozeri të veçantë dhe kjo e bën skuadrën të jetë më e karikuar.

Në vijim, Cana shtoi se pozicionimi i tij në qendër të mbrojtjes nuk është një risi edhe pse tifozët në Itali nuk ishin në dijeni të një fakti të tillë. Kapiteni i kombëtares komentoi momentin e tij magjik që po kalon në Romë, duke nënvizuar se kërkon të kontribuojë sa më shumë për të arritur objektivat sezonalë të shoqërisë. Për numrin 27 të Lazios, synimi kryesor është kualifikimi në Champions League sezonin e ardhshëm dhe sipas tij, ekipi do të luftojë deri në javën e fundit. Sfida e së shtunës po troket dhe kapiteni kuqezi e cilëson ndeshjen kundër Milanit si shumë të rëndësishme, duke deklaruar se Lazio nuk ka frikë, sepse sipas tij, e vetmja skuadër më cilësore se bardhekaltërit është Juventusi.

Në fund, Cana e mbylli intervistën, duke pohuar se grupi është i bashkuar dhe i tillë duhet të luajë edhe në Milano për të marrë maksimumin nga sfida direkte për vendin e tretë të klasifikimit. Sipas mediave italiane, “luftëtari” shqiptar pritet ta nisë titullar sfidën e së shtunës pasi ka fituar balotazhin me qëndërmbrojtësin Andre Dias.