Çahet PDK-ja në Viti

loading...

loading...
Nexhmedin Arifi, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të PDK-së, në Viti vazhdon ti kontestojë dhe të mos i njohë veprimet, siç thotë ai, të njëanshme të krahut tjetër të PDK-së në Viti, që udhëhiqet nga Daut Xhemajli.

“Një pjesë e drejtuesve të degës së PDK-së, dega në Viti, duke vepruar njëanshëm, pa më shumë se gjysmën e delegatëve dhe kryetarëve të nëndegëve të PDK-së, dega në Viti, pa praninë e organeve qendrore, kanë mbajtur më herët një konvent të fshehtë dhe gjysmake në Kllokot, kurse dje mbajtën kinse mbledhjen e Këshillit Drejtues të degës dhe zgjodhën, respektivisht emëruan, një mini këshill drejtues gjysmak, të cilin ata e quajnë kryesi, prej hiç më pak se 33 vetash.

Këto veprime të njëanshme janë të papranueshme dhe si të tilla nuk i njohim”, i ka thënë rajonipressit ai.
Arifit është shprehur “i gatshëm për bashkëpunim dhe bashkërendim, e gjithë kjo me qëllimin më të mirë njerëzorë, shoqërorë e politik. Unë dhe elektorati që përfaqësoj, bashkë me shumicën e delegatëve dhe kryetarëve të nëndegëve, nuk kemi asgjë kundër pjesës tjetër të aktivistëve të dëshmuar të PDK-së, dega në Viti, përkundrazi jemi të hapur për bashkëpunim dhe strukturim të mirëfilltë dhe të përbashkët”.

Ai ka shtuar se “Ne nuk duan të thellojmë edhe më përçarjet brenda strukturave dhe elektoratit të PDK-së, dega në Viti. Prandaj ne jemi konstruktiv dhe të gatshëm për marrëveshje në mënyrë që PDK edhe më tutje të jetë forca e parë politike në Viti”.

Sipas Arifit shumica e kryetarëve të nëndegëve të zgjedhur në mënyrë demokratike në procesin e brendshëm zgjedhorë, që janë legalë dhe legjitimë, nuk kanë qenë pjesë e këtyre sajimeve subjektive e të njëanshme.

“Këto organe të emëruara në mënyrë arbitrare nuk përfaqësojnë elektoratin dhe strukturat e PDK-së, dega në Viti. Në këtë mënyrë veprimet e tyre të pamatura rrezikojnë seriozisht dhe pashmangshëm humbjen në zgjedhjet e 3 nëntorit. Partia është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido individ e personalitet nga të gjithë ne.
Kjo vlen si për ne, ashtu edhe për ata”, tha Arifi.

“Përgjegjësia jonë është funksionalizimi i PDK-së, dega në Viti, qasja gjithëpërfshirëse dhe krijimi i një mirëbesimi në organet të cilat do të dalin si rezultat i marrëveshjeve bashkë me organet qendrore të partisë, të cilat në fund të fundit janë në të mirën e elektoratit tonë” shprehet Arifi.

Nga ana tjetër Daut Xhemajli ka mblodhur dje Këshillin e kësaj Dege me një pikë të vetme: zgjedhja e Kryesisë së Degës. “Ishte një proces shumë i rregullt zgjedhor, i hapur, demokratik dhe unifikues në Degën e PDK-së në Viti.

Përpjekjet për të fut “spica” në këtë Degë nuk patën sukses” citon rajonipress njoftimin e degës së PDK-së në Viti. Sipas tij, në emër të Kryesisë Qendrore dhe në emër të Kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, Këshillin e Degës dhe anëtarët e tij i përshëndeti anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhevat Bislimi.

“ Konsensusi, bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe solidariteti që karakterizon këtë Degë dhe anëtarët e saj do të zgjerohet dhe thellohet edhe me simpatizantët, votuesit dhe qytetarët e Komunës sonë, Vitisë. Mbyllja e procesit të brendshëm zgjedhor në këtë Degë shënon hapjen e përgatitjeve intensive për zgjedhjet komunale”, citohet të ketë thënë tha Bislimi.

Edhe në këtë degë u propozua një kryesi me një numër pak më të madh se zakonisht. Për anëtarë kryesie u propozuan 33 anëtarë, të cilët u votuan nga Këshilli i Degës. Anëtare të kësaj Kryesie janë edhe pesë gra dhe disa anëtarë nga radhët e Rinisë Demokratike, thuhet në komunikatën e degës së PDK-së në Viti.

loading...