Buzhala: Do të votoj kundër amnistisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Berat Buzhala, në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se ai do të votoj kundër neneve të Ligjit për Amnisti, në të cilat parashihet zgjerimi i amnistisë edhe për kryerësit e veprave penale në pjesën jugore të Kosovës.
Ai ka shtuar se me klimën e cila është në Kuvendin e Kosovës nuk pret që këto nene do të votohen.

Sipas tij, kjo ka qenë një përpjekje e zbehtë e dikujt që të dalë para opinionit publik se gjoja nuk po falet vetëm pjesa e veriut, por po falet edhe pjesa tjetër e Kosovës.

“Unë mendoj që kjo ka qenë banale dhe nuk konsideroj se duhet me ndodhë kështu. Emri i vërtetë i këtij ligji, është se ky ligj është politik i cili ka ardhur si rrjedhojë e marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve”, tha ai për Telegrafin.

Deputeti i PDK-së, ka theksuar se qëllimi i vërtetë i Ligjit për Amnisti është që njerëzit e strukturave paralele të futen nën ombrellën e Republikës së Kosovës, e që sipas tij, për të hyrë në ombrellën e institucioneve të Kosovës, ata duhet të amnistohen.

“Duhet të amnistohen veprat që i kanë bërë gjatë 14 vjetëve të fundit për minimin e rendit kushtetues. Paragrafi i pestë i këtij ligji flet saktësisht për këtë çështje. Unë do të bëjë përpjekje që neni tre dhe katër i Ligjit për Amnisti, që parasheh amnistinë e veprave penale edhe për pjesën jugore të Kosovës, të mos votohen, në mënyrë që ky ligj ta arrijë qëllimin e vet të vërtet – që është falja e njerëzve të dyshuar të pjesës veriore dhe integrimi i tyre nën ombrellën e Republikës së Kosovës. Ligje të tilla ka pasur edhe në Luginë të Preshevës, por edhe në Maqedoni”, ka deklaruar Buzhala./LajmeOnline/