Brenda shtëpisë së familjes së çuditshme, ç’bëri Enertila me 60 milionë lekët e zhvatura?

27-vjeçarja Enertila Beqja është bërë “e famshme” ditën e sotme në të gjitha mediat në vendin tonë, falë historisë aspak të zakontë të saj me 30-vjeçarin Barush Ahmeti, të cilit i mori me anë të mashtrimit një shumë prej rreth 60 milion lekësh të vjetra.

Enertila jetonte në këtë shtëpi, me prindërit e saj. Banesa qëndronte e mbyllur ndërsa dy prindërit saj ishin larguar.

Banesa e rikonstruktuar gjatë vitit të fundit kishte mbetur e shkretë. Rrushi i vjelë nga hardhitë ditë më parë ishte lënë në mes të verandës, ndërsa askush prej dy prindërve të saj të moshuar nuk rrinte më në shtëpi.

Komshinjtë bënë me dije për “DurrësLajm” se çifti Beqja kishte vetëm një vajzë, Enertilën, e cila pasi kishte mbaruar gjimnazin qëndronte e papunë në shtëpi. Vajza hiqej se ishte fejuar, por të fejuarin nuk ia kishte parë asnjë njeri.

Familja tre anëtarëshe nuk komunikonte pothuajse me të gjithë lagjen. Ata nuk flisnin me fqinjët, ndërsa këta të fundit thanë se ishin trembur mjaft kur kishin parë policinë në derë e cila iu kishte sekuestruar orenditë e shtëpisë. Lajmi për arrestimin e vajzës kishte marrë dhenë në fshat, ndërsa të gjithë thoshin se vajza qëndronte e tërhequr dhe nuk linte shkas për biseda me komshinjtë.