Brazili dhe Italia, barazim spektakolar – VIDEO

loading...

Itali-Brazil-300x168

loading...
Italia bën një ndeshje të madhe në Gjenevë kundër Brazilit, në miqësoren e luksit, ndonëse shkëlqimi i saj bëhet verbues në pjesën e dytë kur, pasi arrin të rikuperojë dy gola disavantazh, i shkon fare pranë edhe fitores. Pavarësisht paraqitjes pozitive, takimi përfundon në barazim 2-2, duke konfirmuar se “Seleçao” vazhdon të mbetet një tabu shumëvjeçare për të kaltrit, e cila zgjat që nga viti i largët 1982. Dhe që atëherë të kaltrit nuk kanë shijuar më kurrë një fitore ndaj tyre. Golave të Fred dhe Oskarit u përgjigjen De Rosi dhe Baloteli, por nëse skuadra e Skolarit del pa plagë të rënda nga fusha, për këtë duhet të falënderojë portierin Hulio Sezar, i cili e shpëton në disa raste portën. Italia luan mirë, por pas pjesës së parë e gjen veten në disavantazh të dy golave, por në pjesën e dytë Prandeli ndryshon skemë, nga 4-3-1-2 në 4-3-3, dhe me Çerçin në sulm, plus një Baloteli në rolin e gjeneralit, gjithçka ndryshon dhe të kaltrit jo vetëm trembin për vdekje rivalët historikë, por me pak më shumë qetësi në fund do të mund të kishin gjetur edhe golin e fitores, duke qenë se Nejmar me shokë u dorëzuan totalisht. Gjithsesi, sinjali i parë në pritje të ripërballjes në Kupën e Konfederatave, këtë verë, është dhënë i fortë dhe i qartë, por sinjalin më pozitiv e merr trajneri Çezare Prandeli, që me këtë grup mund të bëjë një mrekulli në Kupën e Botës 2014.

ITALI-BRAZIL 2-2
GOLAT: De Rosi 54′, Baloteli 56′/ Fred 33′, Oskar 42′

ITALIA (4-4-2): Bufon, Barzalji, Maxho, Bonuçi, De Shiljo (Antoneli 74′), Montolivo, Xhakerini (Poli 68′), De Rosi (Diamanti 81′), Pirlo (Çerçi 46′), Baloteli (Xhilardino 83′), Osvaldo (El Sharaui 46′). Trajner: Çezare Prandeli

BRAZIL (4-3-3): Sezar, Dante, David Luiz, Luis (Marselo 77′), Dani Alvesh, Hernanes (Gustavo 91′), Fernando, Oskar (Kaka 62′), Hulk (Zhan 85′), Nejmar, Fred (Diego Kosta 69′). Trajner: Luiz Felipe Skolari

KARTONË TË VERDHË: Maxho 77′, Poli 83′/ Fred 27′, Hernanes 62′, Filipe Luis 70′
GJYQTAR: Stefan Shtuder (Zvicër)

Formacioni i Brazilit është i mbushur me sulmues, siç e kërkon edhe tradita. Trajneri Skolari, edhe pse paralajmëroi që do luante me tre sulmues, në fushë kishte 4 të tillë realisht, duke qenë se Nejmar dhe Fred ishin të avancuar, ndërsa nga krahët punon Hulk dhe Oskar. Falë kësaj Brazili dhuron hapësira prapa dhe Xhakerini fillimisht dhe më pas Baloteli duan të bëjnë për vete skenën, duke grumbulluar brenda pak sekondash dy raste të pastra për gol. Aksionet janë pak a shumë identike, italianët çajnë në zonë mes mbrojtjes, por goditjet e tyre ndalen nga Hulio Sezar, që bën për vete publikun. Por Baloteli e ndjen që kjo është nata e tij dhe vazhdon të bombardojë portën e brazilianëve, por edhe atëherë kur duket se Sezar nuk do ta arrijë sferën, është devijimi vendimtar me thembër i David Luiz që u mohon golin të kaltërve. Të gjithë italianët duken se janë të etur, sepse Pirlo lëshon në zonë edhe Maxhon, i cili kërkon të bëjë “hajdutin” e golit, por as mbrojtësi i Napolit që kishte shpërthyer përpara në versionin e bomberit nuk arrin të çojë topin në kuadrat. Pirlo nga ana e tij dhuron prekje dhe driblime, të cilat do t’i kishin zili edhe brazilianët, por në fund goli mungon. Në 25 minutat e para italianët shpërdorojnë shumë dhe ndoshta nga kjo gjë përfiton Brazili që e merr në dorë situatën.

Fundi i pjesës së parë sa vjen e afrohet dhe ndërkohë Nejmar dhe shokët e tij të repartit kishin nisur të dukeshin në anën e Bufonit, që vë në punë dorezat, por në kundërsulmin e parë serioz Brazili godet. Minuta e 33-të dhe Fred shfrytëzon në zonë krosimin e devijuar nga Bonuçi për ta mbështetur topin në rrjetë, teksa i kishte mbuluar edhe mbulimit të De Shiljos. Italia nuk dorëzohet, por “Seleçao” nis të vrapojë si një makinë garash dhe tri minuta nga fundi i pjesës së parë ndeshja duket e mbyllur. Nejmar nis një galopim drejt zonës kundërshtarë dhe, pasi e tërheq të gjithë mbrojtjen e kaltër me vete, pason për Oskarin që i vetëm përpara Bufonit mbështet në rrjetë për 2-0. Një goditje e rëndë kjo për Italinë, e pamerituar, por as Brazili nuk ka vjedhur asgjë, duke qenë se ishte i ftohtë në dy rastet e paraqitura.

Pjesa e dytë nis me debutimin e Çerçit, i cili zëvendëson Pirlon dhe me El Sharauin që zë vendin e Osvaldos. Ndërkohë me më shumë shpejtësi dhe forcë sulmuese, Brazili nis të vuajë edhe më shumë Italinë, e cila i shkon menjëherë golit me “Faraonin”, por ngushtimi i diferencës nuk do vonojë. Goditje nga këndi për El Sharauin dhe De Rosi del fitimtar mes rrëmujës zonale dhe dërgon shifrat në 2-1. Mesfushori i Romës feston golin e 14-të me kombëtaren, por e gjithë Italia tashmë beson te përmbysja. Kalojnë vetëm 120 sekonda dhe Baloteli nis një kundërsulm personal, por duke parë jashtë portës portierin Sezar merr guximin dhe nga afro 25 metra dërgon në rrjetë një të djathtë perfekte dhe spektakolare për barazimin 2-2. Të gjithë janë në ekstazë, Baloteli mbi të gjitha, por Hulio Sezar me një tjetër pritje spektakolare i mohon përmbysjen ish-shokut të tij tek Interi dhe në fund, pavarësisht disa aksioneve të tjera të rrezikshme italiane, ndeshja përfundon në barazim 2-2 mes duartrokitjeve, edhe pse Italia nuk fitoi.

Cesare Prandelli lavdëroi lojën e Italisë në miqësoren e luksit me Brazilin, takim që përfundoi në barazim 2-2. Kombëtarja “Azzure” arriti të vendoste çdo gjë në baraspeshë pas dy golave të pësuar nga ekipi i Scolarit dhe tashmë tekniku 55-vjeçar theksoi se skuadra duhet të fokuset tek sfida me Maltën. “Zhvilluam një lojë shumë të mirë. Pas 30 minutave ne pësuam dy gola dhe u duk sikur gjithçka kishte përfunduar, por nuk u dorëzuam. Pash disa gjëra interesante gjatë takimit. Balotelli shënoi një gol shumë të bukur dhe krijoi disa raste. E rëndësishme është që të fokusohemi tek ndeshja me Maltën” përfundoi Prandelli.


Brazil 2-2 Italy footyroom.com by footyroom

loading...