Brazil, Kaka kthehet në përfaqësuese, Ronaldinho largohet

loading...

ro-kaka

loading...
Mesfushori i Real Madridit, Ricardo Kaka, është kthyer sërish në Përfaqësuesen e Brazilit. Ai është ftuar për dy ndeshjet miqësore që Brazili i zhvillon në mars kundër Italisë dhe Rusisë. Mirëpo nga përfaqësuesja është larguar Ronaldinho.

Kaka nuk ishte ftuar nga trajneri i Brazilit, Luiz Felipe Scolari këtë vit. Por, derisa Kaka është rikthyer, Ronaldinho është lënë jashtë përfaqësueses pas performancës zhgënjyese në humbjen 2:1 të Brazilit në miqësoren e zhvilluar në shkurt kundër Anglisë. Scolari në skuadër ka ftuar yjet premtues, si Neymar, Oscar e Lucas, si dhe portierin me përvojë Julio Cesar. Ndërkohë për herë të parë në përfaqësuese është ftuar edhe sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Costa.

Brazili do të luajë kundër Italisë në Gjenevë më 21 mars, derisa katër ditë më vonë në stadiumin e Chelseat “Stamford Bridge” në Londër do të përballet me Rusinë. Do të ketë edhe një miqësore në prill kundër Kilit, para se të organizojë Kupën e konfederatave nga 15 qershori deri më 30 qershor. Scolari ka thënë se ka ftuar Kakan (30) për ta përcjellë nga afër atë në dy ndeshjet e radhës. Derisa për Ronaldinhon ka thënë se do ta ketë edhe një rast në ndeshjen kundër Kilit.

“Unë po u jap lojtarëve mundësinë e njëjtë, ata do të kenë një apo dy ndeshje për të luajtur, ndërsa më pas do të marrë vendimin. Nuk e di nëse do të ftohen në të ardhmen apo jo. Do të shfrytëzoj këto ndeshje që kam për të përcjellë lojtarët e më pas do të vendos se çfarë skuadre të zgjedh për Kupën e Konfederatave”, ka thënë Scolari.

Ronaldinho, që ishte në skuadrën e Scolarit që fitoi Botërorin 2002, pati një performancë jo të mirë kundër Anglisë në miqësoren e shkurtit, kur edhe e humbi një penallti në pjesën e parë. Kaka, që ishte titullar për Brazilin në botërorët 2006 dhe 2010, ka luajtur shumë pak për Realin këtë stinor.

Ndeshja e shkurtit kundër Anglisë ishte e para për Scolarin, që nga rikthimi në përfaqësuese. Ai e mori drejtimin e përfaqësueses në fund të vitit të kaluar duke e zëvendësuar Mano Menezesin.

loading...