Botërori Katar 2022, Platini hedh në gjyq ‘France Football’?

loading...

platini

loading...
Presidenti i UEFA-s, Michel Platini nuk vonon me kundërpërgjigjen ndaj akuzave për implikim në çështjen e caktimit të vendit organizator për Botërorin 2022 që shkoi në Katar. Kreu i institucionit të futbollit evropian u përmend në një raport prej 20 faqesh të publikuar nga revista prestigjoze “France Football”, sipas së cilës, Platini ishte ndërmjetës në takimin mes ish presidentit francez, Sarkozy e kryeministrit të Katarit, Tamim bin Hamad al-Thani.

“Kam të drejtën të thërras në gjyq këdo që vë në dyshim integritetin tim në këtë votim. Sarkozy nuk do t’ia kishte lejuar asnjëherë vetes që të më kërkonte të votoja për Katarin sepse e di që unë nuk dëgjoj askënd për këto vendime. France Football nuk zbulon asgjë të re rreth darkës në fjalë sepse bëhet fjalë për informacione që unë i kam dhënë vetë dy vjet më parë”.

Revista franceze, partner i FIFA-s në procedurat për dorëzimin e Topit të Artë, denoncoi influencën e mundshme të Katarit në botën e futbollit francez, duke e lidhur këtë fakt me investimet që “Qatar Investment Sport” po nëpërmjet Paris Saint Germain, madje shton se në vitin 2011 punësoi edhe të birin e Platinisë si avokat, por presidenti i UEFA-s hedh poshtë çdo dyshim. “Të besosh se vendimi im për të votuar Katarin është pjesë e marrëveshjes mes shtetit francez dhe këtij vendi, është një spekulim i pastër. Unë bëra një zgjedhje në mënyrë të pavarur në bazë të një logjike që kam mbështetur përherë; Hapjen ndaj vendeve që nuk e kanë mirëpritur asnjëherë këtë eveniment”.

Replikë e qartë nga ana e Platini që lë të kuptohet se skandali i publikuar nga “France Football” mund të marrë një zgjidhje në shkallët e gjyqësorit francez. Nga ana tjetër, nuk dihet dëmi që ka shkaktuar revista në marrëdhënien e saj me FIFA-n, e cila mund të kriset me publikimin e raportit në fjalë që drejton gishtin e akuzës edhe ndaj anëtarëve të tjerë të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, të cilët morën pjesë në votimin për organizimin e botërorit 2022.

loading...