Blerim Xhemaili dëshiron nuse shqiptare

Futbollisti shqiptar, Blerim Xhemaili, për herë të dytë brenda një muaji i është kthyer Kosovës. Ai, arsyen pse sot ishte në Kosovë, e tha se herën e fundit kur vizitoi Prishtinën, ky vend i la mbresa të mëdha. Mirëpo, në fakt arsye pse ishte këtu ishte shumë më e madhe se sa e tha ai.

“Xhemaili është në Kosovë sepse po dëshiron nuse shqiptare”, kështu na tha presidenti i klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi, i cili ishte në shoqëri të yllit shqiptar, futbollistit të Napolit, Blerim Xhemaili. Këtë thënie të Ejupit, nuk e ka mohuar Xhemaili përveç që e ka përcjellë me një buzëqeshje që linte të kuptonte se kjo është e vërtetë.

Xhemaili më pas në një bisedë për gazetën tonë, ka folur rreth të ardhmes së tij, për ofertat, Napolin, Zvicrën dhe Shqipërinë.“Të dielën do të udhëtoj në Zvicër, atje do ta marrë makinën dhe do të shkoj për Itali. Të mërkurën do t’i bashkohem ekipit të Napolit”, tha Xhemaili si gjithmonë i buzëqeshur.

Ai ka përjashtuar mundësinë e kalimit te ndonjë skuadër tjetër, derisa të re e ka cilësuar ndërrimin e trajnerit te Napoli.“Jo nuk pres ndonjë ndryshim. Nuk e di cili është plani i trajnerit, unë për këto gjëra jam shumë i lirë dhe nuk brengosem shumë. Unë do të jap maksimumin në trening”, tha Xhemaili, duke mohuar mundësin e kalimit në Milan.

“Jo, jo nuk ka asgjë të re në këtë drejtim, jam i Napolit”, tha mesfushori shqiptar, duke vlerësuar se paraqitja në Champions Legua do të jetë gjë e madhe.
“Para dy viteve isha me Napolin pjesë e Champion Legues por në atë kohë jo si protagonist më shumë kam qëndruar në bankë. Këtë herë gjërat janë ndryshe dhe është shumë mirë që do të luaj në këtë kompeticion”, tha Xhemaili.

Sa i përket kombëtares helvetike, Xhemaili ka bërë të ditur se ata janë afër kualifikimit por do të dëshironte që edhe Shqipëria të bëhet pjesë e botërorit.
“Do të doja që Zvicra dhe Shqipëria të kualifikohen në botëror. Shpresoj që ndeshja e fundit të mos vendosë kualifikimin për neve. Përndryshe do të ishte shumë rrezik pasi që Shqipëria ka një ekip shumë të fortë dhe është vështirë t’i mposhtësh në fushën e tyre. Unë shpresoj se do të jem pjesë në atë ndeshje”, përfundoi Blerim Xhemaili.