Blatter nuk e fsheh, është një tifoz i Realit të Madridit

sepp

Joseph Blatter nuk e fsheh, ai është një tifoz i Realit të Madridit dhe për këtë ka një arsye. Shefi i FIFA-s zbulon se u dashurua me skuadrën “merengues” në kohën kur argjentinasi Di Stefano magjepsi botën me talentin e tij.

“Jam bërë një ndjekës i rregullt i Realit të Madridit që në epokën kur luante Di Stefano dhe unë punoja si gazetar. Në rini kam luajtur futboll dhe mbaja përherë fanelën me numrin 9, ndërsa Di Stefanon e kisha idhull. Kur u riktheva për të luajtur në klubin tim të fëmijërisë, Visp, ndryshuam ngjyrën e fanelës duke e bërë të bardhë. Nuk do ta harroj asnjëherë ditën kur u takova me Di Stefanon. Ishin vitet ’70 gjatë një ceremonie homazhi në ‘Santiago Bernabeu’. Ajo ishte një ditë e pabesueshme për mua”.

Në vijim, Blatter prek edhe çështjen e “Topit të Artë”, duke e pranuar se në vitin 2010 duhej t’i ishte dhënë një lojtari spanjoll pas triumfit në Kupën e Botës. “Prisja që trofeun ta ngrinte një lojtar spanjoll pas arritjes së madhe në Kupën e Botës, por për fat të keq unë nuk kam të drejtë vote sepse këtë e bëjnë trajnerët, kapitenët dhe gazetarët. Do të më kishte pëlqyer nëse një spanjoll do të nderohej me Topin e Artë”.

Kreu i institucionit kryesor të futbollit botëror FIFA, nuk harron të komentojë as punën e arbitrave, që sipas u duhet edhe ndihma e teknologjisë. Blatter e përfundon intervistën duke theksuar se gjyqtarët duhet të jenë profesionistë, pavarësisht se paga e tyre është shumë herë më e ulët se ajo e një futbollisti.