Blatter: Në të ardhmen do të aplikohen masa edhe më të rrepta ndaj racizmit

loading...

Switzerland Soccer FIFA meetings

loading...
Presidenti i FIFA-s,Sepp Blatter është në sintoni të plotë me votuesit e çmimit për Topin e Artë 2012. Kreu i institucionit më të lartë të futbollit botëror shprehet pa asnjë dyshim se Messi është lojtari më i mirë në botë. “Sot për sot Lionel është më i miri dhe jemi shumë krenarë për ata që morën pjesë në votime dhe thanë fjalën e tyre për Topin e Artë”, nënvizon Blatter në një intervistë për FIFA.Com.

Në vijim, ai shtoi se ndoshta në ceremoninë e dorëzimit të çmimit duhet të caktohen medalje edhe për dy finalistët e tjerë, të cilët dolën me duar bosh, duke theksuar se herët e tjera, organizatorët duhet ta mendojnë me mirë këtë detaj. Presidenti i FIFA-s vijoi intervistën, duke pohuar se futbolli i femrave ka shënuar rritje të ndjeshme në vitin 2012 dhe sipas tij kjo u pa qartë edhe në finalen olimpike të “Wembley”-t që u ndoq nga rreth 80 mijë spektatorë. Kupa e Konfederatave në vitin 2013 zuri një vend të veçantë në shqetësimet e Blatter, i cili u shpreh se gjithçka do të jetë gati në startin e evenimentit. “Nuk ka dyshim se stadiumet do të jenë gati por duam të shikojmë mënyrën e mbushjes dhe boshatisjes së impianteve dhe për këtë duhen bërë prova të shumta”.

Bastet po kthehen në një gangrenë për futbollin modern dhe Blatter e di shumë mirë se ky është rreziku më i madh që po i kanoset sportit. “Nëse njerëzit e dinë se ndeshjet trukohen asnjë nuk do të besojë më në rezultate, prandaj duhet që ambjentet sportive të jenë më të bashkuara në këtë pikë. Dua të them se lojtarët, trajnerët dhe arbitrat duhet të denoncojnë çdo lëvizje të dyshimtë dhe vetëm atëherë do të flasim më konkretisht për këtë fënomen”.

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, gjithashtu ka thënë se ndëshkimi me rrëzim në një rang më të ulët të garave do të ishte adekuat për skuadrat, tifozët e të cilave, shpallen fajtorë për racizëm. “Mbetet tash te ne që të marrim hapa adekuatë”, ka thënë Blatter për faqen zyrtare të FIFA-s. “Ajo që ndiej se duhet të bëjmë është t’u japim instruksione federatave tona nacionale dhe konfederatave, veçanërisht komiteteve disiplinore që të jenë shumë të fuqishme. Nuk mjafton të jepet vetëm një gjobë. Luajtja e një ndeshjeje pa shikues është një ndëshkim i mundshëm, por dënimi më i mirë do të ishte marrja e pikëve apo edhe largimi i skuadrës nga liga, pasi fundi i fundit, skuadra është fajtore për tifozët e saj”.

FIFA së fundi ka urdhëruar Bullgarinë e Hungarinë që të luajnë ndeshjet e ardhshme eliminatore të Botërorit 2014 pa tifozë për shkak të fyerjeve raciste dhe sjelljeve antisemitike të tifozëve të tyre. Të dyja kanë apeluar ndaj vendimit të marrë. Mirëpo, FIFA ka paralajmëruar se në të ardhmen mund të aplikohen masa edhe më të rrepta, përfshirë marrjen e pikëve dhe diskualifikimin, në rast të përsëritjes së problemit.

Rasti i racizmit u aktualizua së fundi kur javë më parë mesfushori i Milanit, Kevin Prince Boateng, lëshoi fushën dhe rrugën e tij e ndoqën edhe bashkëlojtarët, pasi ai u fye në baza raciste gjatë ndeshjes miqësore me Pro Patrian. “Është një fenomen ku futbolli është viktimë e shoqërisë. Diskriminimi dhe racizmi janë kudo në shoqëri. Ne në futboll nuk bën të na bëjnë përgjegjës për atë që ndodh në shoqëri. Por askund në botë nuk mund të zgjidhësh një problem duke ikur. Unë pajtohem me përkrahjen për veprimin e Boatengut, pasi ishte një paralajmërim i fortë. Por, nuk zgjidhen gjërat me ikje”, ka shtuar Blatter.

loading...