Bizneset e krijuara me milionat e luftës së UÇK-së (Dokument)


Dokumentet që posedon poprtali Insajderi tregojnë se si miliona marka të përfituara në emër të luftës së UÇK-së dhe Fondit “Vendlindja Thërret”,u shpërndanë në krijimin e bizneseve private, financimin e partive politike, blerjen e banesave, lokaleve dhe trojeve.

Katër burra vendosën të nënshkruanin një marrëveshje biznesore më 25 korrik të vitit 1999, vetëm një muaj e gjysmë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Prijësi i tyre ishte Ibrahim Kelmendi që kishte menaxhuar Fondin “Vendlindja Thërret” në Gjermani.

Aksionarë tjerë në firmën e emërtuar “Eko Holding” ishin: Fadil Demiri, Ton Marku dhe Dukagjin Kelmendi, kushëri i Ibrahim Kelmendit. Secili prej të treve kishte nga 10 për qind. Ibrahim Kelmendi posedonte 60 për qind. Dhjetë për qind të mbetura ruheshin për ndonjë aksionarë të ri.

Insajderi ka siguruar marrëveshjen për themelimin e kësaj kompanie. Ibrahim Kelmendi kishte vendosur të mos shfaqej publikisht.

“…Unë nuk duhet të shfaqem hë për hë, deri në momentin e përshtatshëm, që jam posedues i përqindjeve kryesore të kësaj firme”, thuhet në këtë marrëveshje.

Kelmendi thotë se kishte një arsye se pse kishte vendosur të mbetej anonim.

“Unë vendosa që të mos figuroj me emër, sepse nuk doja të isha barrë e firmës me spekulimet se si menaxher i Fondit “Vendlindja Thërret”, kam vjedh mjete andej dhe i kam investuar këndej”, deklaroi Kelmendi për Insajderin.

Por gjetjet e Insajderit tregojnë se në arkat e kësaj kompanie u derdhën rreth 2 milionë marka të përfituara emër të UÇK-së dhe Fondit “Vendlindja Thërret”. Dokumentet që posedon Insajderi flasin për shpërndarjen e këtyre miliona markave në krijimin e disa kompanive tjera, për financimin e partive politike, blerjen e banesave, lokaleve dhe trojeve.

Misteri i telefonave satelitorë të UÇK-së

Në marrëveshjen e nënshkruar në korrikun e vitit 1999 shënohet se kompania “Eko Holding” po krijohet me fitimet e telefonisë satelitore të quajtur “Tele Point”.

Historia e krijimit dhe operimit të “Tele Point” është e lidhur ngushtë me Fondin “Vendlindja Thërret” dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ibrahim Kelmendi kishte përfituar miliona marka nga ky biznes që përfshinte UÇK-në. Ai tregon se kishte marrë 120 telefona satelitorë nga telekomi gjerman dhe 30 tjerë nga firma gjemane CPN.

“Këta telefona i kishte në përdorim UÇK-ja në Kosovë”, thotë Kelmendi duke shtuar se telefonat satelitor ishin të regjistruar në emër të Fondit “Vendlindja Thërret”.

Lidhur me telefonat satelitorë, Kelmendi thotë se kishte probleme me autoritetet gjermane. “Telekomit gjerman i kishim ngel borxh rreth 1.2 milion DM borxh për telefonat satelitor që kishte UÇK-ja në Kosovë. Për atë borxh Prokuroria federale e Gjermanisë me pat lëshuar urdhër arresti, sepse ishin në emër të Fondit, ku unë isha menaxher”, ka thënë ai. Nuk ka sqaruar më shumë lidhur me këtë problem me autoritetet gjermane.

Por fitimin nga thirrjet nëpërmjet telefonave satelitor e kishte marrë Kelmendi me ortakët e tij, ndonëse këto pajisje ishin në emër të Fondit Vendlindja Thërret. Kjo kompani, sipas tij, e ka shitur 4 marka minutën në Evropën Qendrore, 5 marka në vendet Skandindave dhe 6 marka për thirrjet jashtë Evropës. Thotë se nuk i kujtohet kënd e kishte ortak atëkohë, përkundër që konfirmon se fitimet nga ky biznes ishin shumë të mëdha.

“Meqë fitimi ishte kryesisht meritë e rrethanave që krijoj lufta dhe çlirimi i Kosovës, vendosa që një pjesë të fitimit ta investoj në firmë tjetër, duke angazhuar bashkëveprimtarë që kishin merita të gjatë lufte dhe ndaj të cilëve kisha besim të madh”, ka deklaruar Kelmendi.

Ai shton se mjetet që i kishte dhënë për hapjen e firmës “Eko Holding”, kapnin shifrën e miliona eurove.

“EKO-Holding startoi me të hollat që ia dhashë unë nga fitimi që kisha nga telefonia satelitore, por nuk mbaj mend se sa mjete financiare ua kam dhënë, meqë dhëniet i bënin vëllezërit e mi që e menaxhonin telefoninë satelitore. Gjithsesi duhet të kenë qenë rreth dy milionë DM”, thotë Kelmendi.

parate e vendlindjes

Marreveshja-2-724×1024

Marrëveshja për themelimin e “Eko Holding”.

Dyshimet për fajde, blerjet e patundshmërive dhe shpërndarja e parave të “Eko Holding”

Insajderi ka siguruar edhe raportin financiar të kompanisë “Eko Holding”. Mban datën 3 maj 2003. Të gjitha vlerat janë shënuar në marka dhe aty tregohet për shpenzimet që ka bërë kompania nga viti 1999 deri më 2003. Shënimet tregojnë se miliona marka të kësaj firme janë ri-destinuar për krijimin e kompanive të reja, blerje të tokave e banesave.

70 mijë marka janë investuar në hapjen e restorant “Arbi”, 197 mijë marka janë investuar në sektorin e mobiljeve, 50 mijë marka në hapjen e një salloni frizerie, 150 mijë marka në sektorin e energjetikës, 183 mijë marka janë shpenzuar për investime në Kroaci, 550 mijë euro për sektorin e birrës, 50 mijë marka për hapjen e dy lokaleve në Prishtinë, 500 mijë marka janë investuar në “Llapi Comerce”, 161 mijë marka për kampin në Kargac, 70 mijë marka për për ngritjen e një shatori në Gërmi, 19 mijë marka për “diskoteka në Prizren” si dhe 151 mijë marka janë investuar për hapjen e bankës “Eko Banka”.

Një shumë e madhe në vlerë prej 1 milionë e 110 mijë markave, bazuar në këtë dokument, është investuar në firmën “Genci”. Nuk sqarohet më shumë se me çfarë aktivitetesh është marrë kjo firmë ku janë ri-destinuar mbi 1 milionë marka.

Përveç krijimit të kompanive tjera, shuma të mëdha parash janë shpenzuar edhe në blerjen e patundshmërive. 180 mijë marka janë shpenzuar për të blerë tokë në Veterrnik dhe 400 mijë marka për të blerë tokë në Fushë Kosovë. Po ashtu në raport, tek “gjendja e kapitalit të kompanisë”, tregohet se “80 mijë euro janë shpenzuar për banesën e Dugit ndërsa 70 mijë euro për banesën e Fadilit”.

Kompania “Eko Holding”, bazuar në dokumentet e siguruara nga Insajderi, del se ka pasur edhe borxhe në vlerë prej dhjetëra mijëra markash. Në raport shënohet se borxhi i kompanisë ndaj Currit e Sylës është në vlerë prej 50 mijë markash. Po ashtu në kllapa tregohet se kamata mujore e këtij borxhi është pesë për qind.

Një borxh tjetër është në vlerë prej 10 mijë markash. Kompania i obligohet Gjonit nga Tuzi dhe kamata mujore e këtij borxhi është dhjetë për qind. Në dokument nuk jepen sqarime se kush janë Curri, Syla dhe Gjoni dhe se pse kompania paguante kamatë ndaj këtyre individëve.

Kelmendi, i kontaktuar nga Insajderi, ka thënë se nuk beson që kompania kishte marrë para me fajde pasi “Eko Holding”, kishte shumë para dhe nuk kishte nevojë për një gjë të tillë.

analiza-723×1024

Dokumenti që tregon për shpërndarjen e parave të “Eko Holding”.

Borxhi i Ibrahim Kelmendit ndaj fondit “Vendlindja Thërret”

Raporti tregon edhe për paratë që kompania “Eko Holding”, ia ka dhënë të tjerëve. Kjo rubrikë emërtohet “Ndihmat- dhënë nga Eko Holding”. Aty përmendet se 48 mijë e 440 marka i janë dhënë Ibrahim Kelmendit për shlyerjen e borxhit të Fondit “Vendlindja Thërret”.

Ndërkaq 23 mijë e 700 marka i janë dhënë personit të quajtur “Sahroui”, që në raport përshkruhet si sekser i UÇK-së. Shënohet se kjo shumë i është dhënë për “paga dhe telefonime”. Ibrahim Kelmendi ka mohuar se i ka pasur borxh fondit.

Ka thënë se raporti është hartuar nga Dukagjin Kelmendi dhe Fadil Demiri dhe se nuk bart përgjegjësi se çfarë kanë shënuar ata. Ka pohuar se këta dy e kanë tradhtuar besimin e tij duke keqpërdorur kompaninë “Eko Holding”.

“Nuk kam fare informacion, meqë fatkeqësisht nga fundi i vitit 2003 Fadili dhe Dukagjini me kanë njoftuar se “Eko-Holding” ka bankrotuar”, ka thënë Kelmendi për Insajderin kur është pyetur për shpenzimet që ka bërë kompania “Eko Holding”.

Fadil Demiri është kontaktuar nga Insajderi. I janë dërguar pyetjet para tri javësh. Nuk ka kthyer përgjigje. Ngjashëm ka vepruar edhe Dukagjin Kelmendi. Insajderi ka biseduar nëpërmjet telefonit edhe me Ton Markun, ortakun tjetër të firmën që jeton në Kroaci. Marku ka thënë se nuk i kujtohen shifrat në detaje.

“Detajet i dinë Fadili që ka qenë drejtor i përgjithshëm dhe Dukagjini që ka qenë drejtor financiar. Unë nuk i di”, ka thënë Marku.

Sekseri i UÇK-së

Edhe një detaj tjetër në raportin financiar të kësaj kompanie kallëzon për ndërlidhjen e saj me Fondin “Vendlindja Thërret”. Në raport tregohet se 23 mijë e 700 marka i janë dhënë një personi që i ka ndihmuar UÇK-së. Kjo shumë i është paguar “paga dhe telefonime”. Ai emërtohet në raportin financiar vetëm si Saharoui dhe me vërejtjen “Sekseri i UÇK-së”, në kllapa.

Ibrahim Kelmendi thotë se Saharoui ishte algjerian dhe kishte mbajtur postin e shefit të kabinetit të kryetarit algjerian, Houari Bumedien, të rrëzuar më 1999 nëpërmjet grusht shtetit.

“Në Gjermani është angazhuar si funksionar në partinë SPD. E kemi angazhuar Sabri Kiçmari (tani ambasador) dhe unë, për të na mundësuar kontakte me funksionar të lartë qeveritarë në Gjermani e Austri“, ka thënë Kelmendi.

Ai është pyetur se pse “Eko Holding”, mbante përgjegjësi për të paguar borxhin ndaj të ashtuquajturit “sekser i UÇK-së”, i cili ishte angazhuar nga Fondi “Vendlindja Thërret”?

“Sepse mjetet e UÇK-së, që duhet të kishin tepruar, i grabiti banda Haliti-Syla, Thaçi-Grabovci, dhe nuk donin ti shlyenin borxhet”, thotë Kelmendi. Shton se Saharoui kishte ardhur personalisht në Prishtinë dhe kishte kërkuar kthimin e borxhit që Fondi “Vendlindja Thërret”, kishte ndaj tij.

“E kam takuar Adem Grabocin që t’ma hiqte qafe. Nuk ia pagoi”,ka thënë Kelmendi duke shtuar se më pastaj Fadil Demiri kishte kryer obligimet ndaj algjerianit.

Insajderi i ka dërguar pyetje Sabri Kiçmarit dhe Adem Grabovcit për të komentuar pohimet e Kelmendit. Ende nuk kanë dhënë përgjigje. Njëri prej udhëheqësve të UÇK-së, Xhavit Haliti, është kontaktuar nga Insajderi. Haliti ka thënë se nuk i kujtohet se çfarë ka ndodhur saktësisht. Ka thënë se ka dëgjuar se pas luftës ishte hapur një kompani me emrin “Eko Holding”, por se nuk e di shumë për të. Ka shtuar se, po ashtu, nuk ka shumë informacione për funksionimin e telefonisë satelitore e as për pagesat që i janë bërë të ashtuquajturit Sekser i UÇK-së.

Dyshime për financim të partive nga “Eko Holding”

Përveç shpërndarjes së miliona markave në krijimin e dhjetëra bizneseve nëpër Kosovë, paratë e “Eko Holding” janë përdorur edhe për të mbushur arkat e partive politike.

Në raportin financiar të kompanisë figurojnë emrat e dy partive politike. Shënohet se 37 mijë marka i janë dhënë Partisë Qendra Liberale e Kosovës ndërsa 32 mijë marka tjera Naim Malokut, kryetar i atëhershëm kësaj partie, tashmë të shuar. Naim Maloku ish-kryetar i PQLK-së, konfirmon se Fadil Demiri ishte një ndër anëtarët e këshillit nismëtar për formimin e kësaj partie.

Thotë se nuk kishte pranuar personalisht para nga kjo firmë por tregon se Fadil Demiri ishte donator i kësaj partie.

“Me kujtohet që kompjuterët që i kemi përdorë i ka sjellë Fadili. Sa dijë unë nga ai janë mbuluar edhe shpenzimet në bufenë e sallës, edhe sallën për mbajtjen e Kuvendit të parë”, ka deklaruar Maloku për Insajderin. Subjekt tjetër politik që i ishin dhënë para, bazuar në raport, ishte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shënohet se kësaj partie i janë 30 mijë marka.

Po ashtu kësaj partie i janë dhënë edhe 10 mijë marka tjera që në raport emërtohen si “Rushfet për birra”.

“As për këto të dhëna nuk kam qenë i informuar dhe nuk di konkretisht asgjë. Nuk jam pyetur e informuar. Ngjan ti kenë dhënë për ryshfet, meqë EKO-Holding pat filluar ta plasonte në treg birrën me bure (krigëll), të cilën e blente nga Birraria e Pejës”, ka thënë Kelmendi. Shton se drejtuesit e birrarisë ishin të lidhur ngushtë me vëllëzërit Haradinaj që drejtojnë AAK-në.

Insajderi ka kërkuar para dy javësh përgjigje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për pohimet e Kelmendit dhe të dhënat në raportin financiar të kompanisë “Eko Holding“. Nuk ka dhënë përgjigje.

Ndërkaq Agim Elshani, ish-drejtor i “Birra Peja“, ka pohuar se nuk ka qenë asnjëherë i informuar se Ibrahim Kelmendi ka pasur kompani që merret me tregtinë e birrës.

“Një kompani me emrin Holding pas luftës pat nisur të shes birra në krigëll. Furnizohej nga ne. Nuk më kujtohet mirë. E di sigurt se asnjë prej këtyre emrave që përmendni nuk ka kontaktuar me ne. Ajo firmë me të cilën kemi bashkëpunuar ka qenë e dikujt tjetër”, ka thënë Elshani.

Ai ka mohuar deklarimet e Kelmendit se dikush prej drejtuesve të Birrarisë ka mundur të pranojë ryshfet në emër të AAK-së. Elshani ka qenë zëvendës komandant i UÇK-së në zonën e Dukagjinit. Ramush Haradinajn e ka pasur epror. /Insajderi.com/
u