Biçikletat e drunjta të Kongos

loading...

loading...
Goma, Kongo, 30 janar – Është mjet i pazakonshëm: biçikletë e drunjtë me dorëza të mëdha, dy rrota druri, një kornizë si trekëndësh i shtypur dhe pa pedale. Në të nuk ka as ulëse.

“Chikudu” kongoleze duket sikur të kishte dalë nga faqet e ndonjë libri me vizatime për fëmijë. Atë mund ta shohësh kudo nëpër rrugët e pashtruara, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.

Uzima Bahati (18) ishte fëmijë kur u bë drejtues i saj. Ai e la shkollën kur i kishte rreth 12 vjet dhe i ka kaluar gjashtë vitet e fundit duke bartur ngarkesa të mëdha me këtë mjet të pazakonshëm transporti.

“Më ka ndihmuar shumë në jetë, për shkak se është punë pa orar”, ka thënë ai. “Sapo të bëj para mjaftueshëm, mund të shkoj në shtëpi dhe të blej ushqim”.

Ai krenohet aq shumë me “chikudun” e tij, saqë ka shpenzuar pesë dollarë – më shumë se dyfishin e pagës mesatare ditore këtu – për ngjyrë të kafenjtë dhe brusha.

Me kujdesin më të madh, ai e ka shkruar numrin e tij të celularit në këtë mjet, së bashku me motot “Puna është punë” dhe “Mos flisni shumë”. Kjo e fundit, thotë ai, tregon se ai nuk mërzitet se çfarë mendojnë tjerët për të, madje edhe nëse e përqeshin.

Ngasësit e tjerë të “chikudus” i kanë lakmi Bahatit për shkak të motoçikletës së tij të ngjyrosur, e cila, sipas standardeve kongoleze, është luks.

“Miqtë e mi qeshin, duke më thënë: Ke para për të shpenzuar kot. Paratë që i ke shpenzuar për ngjyrë ke mundur t’i shpenzosh për të blerë diçka të dobishme”, tregon ai. “Por, sado që qeshin ata, unë nuk ndihem keq”.

Për njerëzit këtu, “chikudu” simbolizon vendosmërinë e madhe të kongolezëve, për të cilët secili ushqim, secila kovë uji dhe secila tjegull për shtëpi duhet të bartet nga një vend te tjetri.

“Chikudus” janë mjete bartëse, për mirëmbajtjen e të cilave nuk duhet edhe investim i madh. Varësia e njerëzve ndaj tyre është dëshmi e varfërisë së njerëzve në këtë pjesë të Kongos, pjesa më e madhe e të cilëve mbijetojnë me më pak se dy dollarë në ditë.

Ato përshtaten për mrekulli në Goma, një qytet prej një milion banorësh në brigjet piktoreske të liqenit Kivu.

“Biçikletat e zakonshme janë të padobishme. Me to nuk mund të bartësh shumë dhe prishen tërë kohën”, thotë kushëriri i Bahatit, Cengi Byamungu, prodhues i “chikudu”-ve, i cili e montoi edhe makinën me të cilën Bahati krenohet.

Në këtë pjesë, të krahasosh “chikudun” me një biçikletë të zakonshme do të ishte njëjtë si të krahasoje një kamion 10-tonësh me “VW Beetle”.

loading...