Besojeni ose jo, kjo është pasuria e “çmendur” e Behgjet Pacollit

Behgjet Pacolli duket se do të bëhet personi kyç për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë, e cila ka mbetur pa institucione që prej zhvillimit të zgjedhjeve pasi asnjë parti apo koalicion nuk po mundet të bëjë maxhorancën.

Ndërkohë që në zgjedhje ishte pjesë e koalicionit me LDK dhe Alternativa (LAA) Pacolli i ka dërguar një ultimatum pasditen e djeshme aleatit të tij më të madh, LDK-së që të mundësojë çlirimin e institucioneve nëse nuk bëjnë dot maxhorancën.

Ai është politikani më i pasur në Kosovë, ku nga deklarimi fillestar në vitin 2014 i janë llogaritur rreth 215 milionë euro, ndërkohë që sa i përket bizneseve të shumta të tij ai është shprehur se bëjnë me tepër se 1 miliardë euro.

“Nëse dikush do të ishte i interesuar për Mabetex-in, unë do të kërkoja një vlerë reale të saj, sa është vlera në treg. Wshtë diku tek 1.5 miliardë euro”., – është shprehur ai në emisionin “Komiteti” disa muaj më parë.

Ndërkohë, i pyetur në emisionin “Opinion” për të njëjtën gjë, Pacolli ka deklaruar se pasuria totale e tij është disa miliardë euro duke mos dhënë një shifër të saktë.

“Unë nuk njoh ndonjë biznesmen që i merr paratë dhe i bën palë diku. Paraja duhet të qarkullojë ku fitimin e një projekti ti e merr dhe e investon diku tjetër”., – shprehet ai.