Besnik Hasi fiton Superkupën e Belgjikës

0Ish-mbrojtësi i kombëtares kuqezi, tashmë në krye të skuadrës belge ngriti lart Superkupën e Belgjikës pas suksesit 2-1 ndaj Lokeren.

Besnik Hasi fiton trofeun e dytë të rëndësishëm si trajneri i Anderlecht-it. Ish-mbrojtësi i kombëtares kuqezi, tashmë në krye të skuadrës belge ngriti lart Superkupën e Belgjikës pas suksesit 2-1 ndaj Lokeren. Në fakt rezultoi një sfidë mjaft e vështirë për Anderlecht-in, që e siguroi fitoren në minutat shtesë falë një autogoli të Adoi teksa rezultati deri në ato momente ishte mbërthyer në shifrat 1-1.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Anderlecht-it që e zhbllokoi rezultatin në minutën e 29-të me Mitrovic, por në të 73-n Harbaui i Lokeren vuri baraspeshën e përkohshme, por pa mundur që ta çonte ndeshjen në shtesë.

Ky sukses i rrit edhe më shumë kuotat e Hasit si trajner i Anderlecht-it, skuadër ku ka dhënë për shumë vite kontribut edhe si futbollist. Dy vite më parë Besnik Hasi ishte shumë pranë emërimit si trajneri i Shqipërisë, por pas këmbënguljes së drejtuesve të klubit belg vendosi të qëndronte në Belgjikë. Pas tërheqjes së 42-vjeçarit Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ia besoi kombëtaren italianit Gianni de Biasi.