Bëhen llogaritë dhe del shuma “e frikshme”, sa mijëra euro ka kushtuar dasma e Besit dhe Xhensilës

Ashtu siç edhe mund të keni parë në çdo rrjet social të mundshëm apo keni lexuar nëpër media online, dasma kaq e përfolur e këngëtares së mirënjohur Xhensila Myrtezaj me aktorin e humorit Bes Kallaku ka bërë bujë.

Që dasmat e personazheve të njohura tërheqin gjithmonë vëmendje është pak por e sigurt, ama ceremonia e Besit dhe Xhensilës i ka kaluar çdo pritshmëri.

Duke nisur që nga çifti, i cili ashtu i thjeshtë ka fituar simpatinë e një numri jo të vogël ndjekësish, e duke përfunduar te të ftuarit, atmosfera, këngëtarët, surprizat, fotot videot etj.

Altari dhe betimi

Këtë pjesë mund ta quanim edhe thjesht “çifti” sepse kishte të bënte vetëm me ata të dy, protagonistët dhe me askënd tjetër. Nisi me hyrjen e Xhensilës, e cila shoqërohej nga vëllai, për t’iu drejtuar më pas personit që do t’i lidhte të në martesë.

Edhe në këtë moment nuk kanë munguar fjalët e ëmbla, premtimet dhe shprehjet e dashurisë, ku, Bes na vjen keq, por duhet ta pranojmë se Xhensila na preku të gjithëve. “Sot unë betohem se e jotja jam dhe mezi pres të kaloj çdo ditë e çdo pjesë të mbetur të jetës sime me ty. Ti je frymëmarrja ime Bes! Ti do të më mungoje edhe në qoftë se nuk do të të kisha takuar kurrë më”, – kanë qenë këto disa nga fjalët që këngëtarja i ka dedikuar partnerit të saj në altar.

E më pas, ashtu si nëpër filma të dy thanë: “Po”.

Të ftuarit dhe këngëtarët

Lista e të ftuarve përfshinte emra nga fusha të ndryshme, emra të njohur të panjohur për ne dhe sigurisht, emra që kanë ditur të krijojnë një atmosferë që e kemi ndjerë edhe ne të tjerët nëpërmjet telefonave tanë celularë.

Mund të përmendim këtu: Ardit Gjebrea, Sinan Hoxha dhe bashkëshorten e tij Andrra Destani, Ermal Mamaqi, Rezarta Shkurta, Samanta Karavella, Capital T, Lorik Cana, miqtë e kolegët e Besit si Xhemi Shehu, Erion Isai, Gaz Paja, Florjan Binaj, Irgen Çela, Eneda Tarifa, Kimikati e shumë emra të tjerë.

Pa harruar të përmendim edhe presidenten e “Top Medias”, Vjollca Hoxha, Lori dhe Sara Hoxha, Ledion Liçon, Erion Yllin, si dhe drejtuesin e “Ora News”, Ylli Ndroqi me bashkëshorten.

Ndërkohë nuk mund të mos mungonin as këngëtarët më në zë të skenës si Aurela Gaçe, çunat e Three Dots, Klajdi Haruni dhe Bruno, Eli Fara Valbona Mema, Ylli Baka etj., të cilët kanë bërë atë që dinë të bëjnë më së miri: një show të paparë! Madje, në një moment mikrofonin e ka marrë edhe vetë Besi për të kënduar këngën e tij, “Baftjari”.

Me këngë Veriu, Jugu dhe të Shqipërisë së Mesme të gjithëve u është dukur sikur ishte një festival!

Xhensila, surprizë Besit (dhe e anasjella)

Pritej që nusja të merrte mikrofonin e t’i këndonte bashkëshortit të saj një ose dy ose edhe tri këngë duke qenë se Xhensila është nga zërat më të mirë që kemi në tregun tonë muzikor. E në fakt kështu ka bërë!

Nëse mendoni se këndoi “Engjëlli im”, gaboheni! Në natën e saj të madhe, Xhensila ka zgjedhur t’i dedikojë një këngë të re Besit, atij që ka çelësin e zemrës së saj. Kënga është realizuar në studion e “Three Dots” nga Kledi Bahiti. “Çelësi i zemrës” titullohet kënga, e shoqëruar edhe me një video të realizuar gjatë setit fotografik të dasmës.

Por (Besi ka gjithmonë një por), Besi i la të gjithë gojëhapur me surprizën e tij.

Me një këngë të krijuar po nga Kledi Bahiti, “Skifterja ime”, në bashkëpunim me Klajdi Harunin, aktori ka surprizuar të ftuarit dhe vetë nusen.

Pra, kështu ndodh kur edhe nusja, edhe dhëndri janë romantikë dhe artistë.

Me pak fjalë, dasma e Besit dhe Xhensilës nuk bëri bujë vetëm para ceremonisë, por edhe gjatë saj. Mund të themi se të gjithë u kënaqën, qoftë me çiftin që ia doli mbanë të ishte një çift simpatik (e më shumë se kaq), qoftë me atmosferën e krijuar në Pallatin e Brigadave. Të jemi të sinqertë, kjo ishte nga ato dasma ku të gjithë do të donim të ishim pjesë.

Dasma me pak fjalë ka kushtuar rreth 65 mijë euro. /Zeri/Telegrafi/