Bastisje në Vushtrri, policia kërkon të dyshuar

loading...

foto

loading...
Skuadra rajonale e hetimeve e Policisë së Kosovës në Mitrovicë, ka udhëhequr një operacion me qëllim të realizimit të një urdhër kontrolli për bastisjen e shtëpive dhe objekteve përcjellëse në kërkim të personave për arrestim, në fshatin Ropicë, të Vushtrrisë.
“Me urdhëresë për kontroll të lëshuar nga gjykata themelore në Mitrovicë, policia ka realizuar bastisjen dhe kontrollin e shtëpive private rreth orës 06:00min, të mëngjesit të djeshëm, në kërkim të provave ose arsyeve të tjera në lidhshmëri me informatat e mbledhura operative për mundësi të arrestimit të personave të përfshirë në ndihmë të rastit të vrasjes së rëndë të kryer në Vushtrri, më 22 mars, 2013”, ka thënë toger Besim Hoti, zëdhënës Rajonal i Policisë në Mitrovicë.
Në këtë operacion kanë marrë pjesë një numër i konsideruar i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, përfshirë edhe Njësitin Special për Intervenim, NjSO, Njësitin me qen të Policisë së Kosovës K-9, dhe njësitë policore të rendit të cilët kanë siguruar perimetrin e jashtëm dhe kontrollin e trafikut.
Gjatë kontrollit të shtëpisë, policia ka identifikuar dhe arrestuar një të dyshuar, M.G. 54 vjeçar, ndaj të cilit figuronte urdhër arresti i lëshuar nga gjykata, që nga viti 2005, për dyshim të përfshirjes në veprën penale, krim të organizuar.
Në njërën nga shtëpitë e kontrolluara, policia ka identifikuar dhe sekuestruar një armë, pistoletë “TT”, së bashku me 8 fishek, dhe ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për “mbajtje në pronësi të armës së paautorizuar”, ndërsa në oborrin e shtëpisë është sekuestruar një automjet, tip “Golf 2”, i cili besohet se ishte përdorur në rastin e aktit kriminal të vrasjes së rëndë.
Një tjetër person, A.G. 28 vjeçar, është arrestuar nga Policia, pasi i njëjti kishte tentuar të sulmonte zyrtarët policor me një shkop druri, me qëllim të pengonte të njëjtit në kryerje të detyrës së tyre. I njëjti është vënë nën kontroll të policisë dhe është regjistruar në stacionin policor në Vushtrri, për vepër penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Operacioni i kontrollit policor të shtëpive ka përfunduar rreth orës 07:30min. Vërtetimet policore mbi kontrollin e realizuar i janë dorëzuar pronarëve të shtëpisë ku janë realizuar kontrollet.
Dy persona të tjerë të dyshuar, nuk janë takuar në shtëpi gjatë operacionit. Të njëjtit janë në kërkim të Policisë së Kosovës.

loading...