Basketbollisti pa dy këmbë e pa një dorë shënon tresha [VIDEO]

BAS-330x185

Si shumica e basketbollistëve të shkollës së mesme “North Central Charter Essential School” në Massachusetts, edhe Roman Sweeney adhuron superyllin e skuadrës së NBA-së, Boston Celtics, Kevin Garnett.

Por, Sweeney vetë është një inspirim i vërtetë, madje edhe për Garnettin. Duke luajtur me dy këmbë proteza të titaniumit dhe pa dorën e majtë, të cilën e ka të amputuar deri te bërryli, Sweeney ka arritur të futet në skuadrën e basketbollit këtë stinor, ndërsa ka shënuar tri herë në gjuajtje për tri pikë në shtatë ndeshjet e para të stinorit.

“Është e mahnitshme. Ai ka shënuar më shumë për tri pikë sesa unë. Është mahnitëse. Gjëra si këto janë thjesht mahnitëse. Unë nuk kam fjalë”, ka thënë Garnett.

I adoptuar nga Tim dhe Pam Sweeney nga një jetimore ruse në moshën 6-vjeçare, Roman është mësuar si të gjuajë në shtëpinë e tij, duke ditur si të balancohet dhe si të vërë topin në dorën e djathtë me të cilën gjuan. Sweeney ka shpjeguar se kur luan basketboll dhe shënon tresha, e bën të ndihet shumë mirë.

“Kur shënoj tresha, më bën të ndihem sikur po dal me Beyoncen. Është ndjenja më e bukur në botë. Është pasioni im”, ka thënë Sweeney.

Garnett është i befasuar me përkushtimin e djaloshit.

“Ky është përkushtim i vërtetë. Ja ku e keni një djalosh që vërtet e adhuron basketbollin, adhuron lojën dhe adhuron jetën. Është një inspirim i vërtetë”, ka thënë Garnett, shkruan sot më gjerësisht “Koha Ditore”.