Barcelona realizon “remuntada”-n e dëshiruar – VIDEO

barca-milan1

Tani do të thonë të gjithë që ishte gjithçka e parashikuar. Përbindëshi Lionel Messi me një dopietë, David Villa dhe Jordi Alba “shenjtërojnë” makthin e Milanit dhe tifozëve të tij. Dy gola avantazh nuk mjaftuan dhe “remuntada”, madje edhe më shumë sesa kaq, është ofruar. Barcelona mund Milanin në shifrat 4-0 dhe avancon në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Spanjollët centrojnë objektivin e tyre me një ndeshje perfekte, thuajse të sigurt se gjithçka do shkonte në drejtimin e duhur.

Katalanasit kthehen ata të kohëve të vjetra, e nisin ndeshjen me një presing mbytës, një zotërim topi të frikshëm e me pasime prej 100 kilometrash në orë, dhe perëndisë së futbollit, Lionel Mesit, i mjaftojnë vetëm 5 minuta që të karikojë të tijtë duke gjetur golin e parë. Mirëpo, sikur të mos mjaftonte paralajmërimi agresiv, milanisti Niang në minutën e 38-të i hap dyert e kualifikimit Barcelonës, duke qenë se goditja e tij vetëm përballë portierit ndalet në shtyllë. Dhe kaq mjaftoi që Mesit me shokë t’i hapej oreksi e të gllabëronin kundërshtarët.

BARCELONA-MILAN 4-0
GOLAT: Messi 5′, 40′, Villa 54′, 92′ Alba

BARCELONA (4-3-3) Valdes; Alvesh, Pike, Maskerano (77′ Pujol), Alba; Buskets, Xavi, Iniesta; Pedro (84′ Adriano), Messi, Villa (74′ Sançez). Trajner: Jordi Roura
MILAN (4-3-3) Abiati; Abate, Zapata, Mexes, Constant; Flamini (74′ Krkiç), Ambrossini (60′ Muntari), Montolivo; Boateng, Niang (60′ Robinjo), El Sharaawy. Trajner: Masimiliano Allegri
KARTONË TË VERDHË: Pedro 41′ / Boateng 22′, Flamini 45′, Mekses 54′
GJYQTAR: Viktor Kasai (Hungari)

Është e kotë të bësh llogari dhe të ndërtosh planet taktike kur përballë ke “monumentin” e futbollit. Starti i katalanasve është verbues, sepse askush nuk arrin ta shohë vetëm pas 5 minutash pasimin e Xavit për Messin, i cili me një predhë me të majtën trondit Abiatin, që kupton se topi ka hyrë në rrjetë vetëm pas festës së tifozëve. Por Milani tregon se është në lojë, ndonëse kur El Sharaawy katër minuta më vonë nuk arrin t’i japë forcë një goditjeje diagonale në zonë, atëherë të gjithë te Barcelona marrin zemër dhe menjëherë Iniesta provon reflekset e Abiatit. Por këtë herë portieri milanist, edhe pse pret, duhet të falënderojë traversën që topi nuk përfundon në rrjetë. Veçse nuk mbaron këtu, sepse kjo Barcelonë duket një tank dhe Xavi në të 17-ën detyron Abiatin në një tjetër pritje fantastike. Me këtë ritëm, Milani duhet të hedhë peshqirin në tokë, sepse edhe në ato pak sekonda që Barcelona u kthye ajo e “San Siro”-s, italianët nuk arritën të përfitojnë. Minuta e 38-të; Maskerano bën një gabim fatal në mbrojtje dhe kjo i lejon Niangut që të nisë një kundërsulm në dukje perfekt, por kur adoleshenti francez e sheh veten përpara Valdesit, topi i tij prek vetëm shtyllën, pavarësisht afro 20 metrave katrorë hapësirë që vlejnë sa një kualifikim. Dhe kur përballë ke një perëndi, gabime të tilla janë të pafalshme, sepse Messi në aksionin që pason feston golin e dytë personal, duke devijuar saktë në portë një asist të Iniestës në qendër të zonës. Gjithçka duket e shkruar, sepse Barcelona arriti të rikuperojë për 40 minuta diçka që Milanit iu desh një ndeshje e plotë për ta arritur dhe goleada është e parashikuar.

Fati i keq për Milanin është se Barcelona gjeti ditën e gabuar për të rilindur, dhe Messi që e tregoi mirë këtë gjatë pjesës së parë injoron kundërshtarët e tij, kur vetëm pas 3 minutash lojë driblon si birrilë këdo që i del përpara, por diagonalja e tij gjen edhe njëherë tjetër krahët e Abiatit që është i vetmi që ka kurajën të shmangë eliminimin. Milani tenton të provojë e të reagojë në çdo mënyrë, por nis të gabojë edhe pasimet më elementare, prandaj vetëm 9 minuta nga fillimi i pjesës së dytë David Villa i ulërin tërë botës; 3- 0. Aksion fantastik i nisur nga Xavi, ky sheh menjëherë zbritjen në zonë të Vijës, i cili pasi sheh edhe gabimin e zgjedhjes së kohës së ndërhyrjes nga Konstant, e ka shumë të lehtë që të kalibrojë siç duhet të majtën e tij, dhe Abiati nuk ka se çfarë të bëjë. E gjithë bota bie mbi këmbët e Milanit, ndërsa Alegri nis të bëjë disa zëvendësime që nuk bindin as atë, e jo më të tentojë të frikësojë Barcelonën, e cila rikthehet të dhurojë spektakël me Messin që kërkon golin nga çdo pozicion i mundshëm i fushës, ndonëse shënjestra nuk është si në pjesën e parë. Por Milani mbase nuk e kupton që kualifikimi i tyre është vetëm një gol larg, sepse edhe duke hedhur Robinjon dhe ish-in Bojan Krkiç në fushën e lojës, asgjë konkrete nuk ndodh më. Përkundrazi, gjithçka bëhet më e turbullt në sulmin kuqezi, ndaj për të mos rrezikuar ndonjë idiotësi të emocioneve finale, Sançez rikuperon në mesfushë një goditje dënimi të nisur keq nga kuqezinjtë, pason saktë në të majtë për Albën, i cili përballë portieri të Milanit tund rrjetën për të katërtën herë dhe historia e një kualifikimi të zgjatur plot 2 javë shuhet për 90 minuta.


Pike: “Kjo një nga ndeshjet më të mira në ‘Camp Nou’

Mbrojtësi i Barcelonës, Zherard Pike, e ka quajtur një nga ndeshjet më të mëdha të luajtura nga katalanasit në shtëpi, triumfin ndaj Milanit. “Ky sukses 4-0 është një nga më të mëdhenjtë që kemi arritur të realizojmë këtu në ‘Camp Nou’. Shumë njerëz mendonin se ne nuk do mund t’ia dilnim, por ia arritëm duke punuar fort e duke lënë pas këtë moment të vështirë. I gjithë ekipi reagoi ashtu siç duhet dhe bëmë një sfidë shumë të mirë ndaj një skuadre me histori, por edhe të rrezikshme. Me këtë sukses ne treguam se tashmë i kemi lënë pas problemet dhe jemi gati për të tjera triumfe. Rivali? Nuk më intereson se kë skuadër do të kemi kundër. Kemi besim se mund të fitojmë ndaj kujtdo”, – u shpreh mbrojtësi katalanas. Ndërsa mesfushori Xavi Hernandez tha se Barça e realizoi atë që donte. “Kam shumë kohë në këtë ekip dhe të tillë përmbysje nuk kam përjetuar. Ne bëmë një lojë të mirë, i mbajtëm nën presion rivalët dhe arritëm të shënonim shpejt. Donim çerekfinalet dhe ia rritëm”.

Villa: “Me këtë fitore na iku e keqja”

Autori i golit të tretë ndaj Milanit, David Villa, vlerëson paraqitjen e ekipit në përmbysjen e “Camp Nou”. “Ne punuam shumë që të mund të gjenim golin në pjesën e parë. Që pas përfundimit të takimit të parë, mendimi ynë ishte që të mund të kishim sukses në ‘Camp Nou’. Dhe ne arritëm që ta bënim strategjinë tonë të funksiononte. Jemi të kënaqur, pasi edhe tifozët nuk na kritikuan asnjëherë dhe patën besim tek ne. Kur kalon momente kaq të bukura, lë pas të gjitha momentet e vështira që ke kaluar më parë. Tani do mendojmë për të ardhmen”, – deklaroi Villa.

Alba: “Bëmë përmbysje historike”

Jordi Alba shënoi golin e katërt që vulosi suksesin katalanas. Ai e quan historike fitoren 4-0 ndaj “Djallit” në shtëpi. “Bëmë një lojë shumë të mirë. U rikthye Barça e zakonshme dhe ne duhet të mbajmë këtë linjë tani. Milani pati një rast të mirë që mund të ndryshonte ndeshjen, por për fat nuk u realizua. Megjithatë ne bëmë një punë të madhe dhe u shpërblyem. Goli që unë shënova është i rëndësishëm për të gjithë. I gjithë populli katalanas fitoi një përmbysje historike. Rivali i radhës? Për ne janë të gjithë njësoj, kemi një ëndërr për të ndjekur”.

Niang: Më vjen keq për atë rast që humba

Ai kishte në dorë mundësinë që t’i jepte kualifikimin Milanit për në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, por gaboi duke goditur shtyllën. M’baje Niang është shumë i trishtuar për këtë gjë. “Më vjen keq për atë rast që humba, shpresoja të bënim gol në pjesën e dytë. Por në fakt ishin ata që shënuan të tretin dhe gjithçka më pas u bë tepër e vështirë. Ne nuk patëm frikë ndaj tyre. Kur luan përballë Barçës, vrapon shumë dhe pastaj humbet”, – tha lojtari, i cili më pas shtoi se pavarësisht se në “San Siro” Milani bëri dy gola, kjo nuk mjaftoi për kualifikimin. “Ne bëmë një ndeshje të mirë në shtëpi dhe shënuam dy herë, por kjo ishte shumë pak që të siguroheshim për kualifikimin”, – u shpreh Niang.

Ambrossini: “Nuk ishim në lartësinë e duhur”

Kapiteni i Milanit, Masimo Ambrosini, e pranon që ekipi nuk luajti ashtu siç duhej ndaj një rivali si Barça. “Ne nuk ishim në lartësinë e kësaj ndeshjeje. Pësuam shumë që nga nisja e sfidës dhe ata na shënuan shpejt një gol. Kjo nuk ishte ndeshja që ne duhej të bënim. Ky është një rast kur ne duhet të nxjerrim mësime, por realisht do të donim që ta evitonim këtë në të tillë ndeshje. Tani duhet të luftojmë për të bërë paraqitje të mira në vazhdim”, – u shpreh mesfushori. Kapiteni theksoi se synimi i “Djallit” është kampionati. “Ne nuk do të kemi lodhjen që vjen nga pjesëmarrja në Champions League dhe do të na jepet mundësia që të përqendrohemi vetëm tek vendi i tretë”, – tha Ambrossini.

Flamini: Sa keq, mund të bënim gol

Mesfushori i kuqezinjve, Matjë Flamini, është i trishtuar me humbjen e pësuar në Barcelonë. “Ishte një ndeshje e vështirë për ne, pësuam shumë gola në 90 minuta. Rivalët tanë kanë shumë lojtarë cilësorë në përbërje, por edhe ne nuk bëmë lojën që zhvillojmë zakonisht. Gjatë pushimit të takimit folëm me njëri-tjetrin dhe vendosëm që të shkonim përpara, sepse golin mund ta shënonim. Për këtë iu referuam rastit të pjesës së parë, kur Niang goditi shtyllën. Më vjen keq që kjo nuk u realizua. Por futbolli e ka edhe këtë, kështu që duhet të ecim përpara”.

Abate: U dhuruam pjesën e parë

Mbrojtësi Ignacio Abate analizon lojën e bërë nga “Djalli” në “Camp Nou”. “Unë mendoj se atyre ua dhuruam ne pjesën e parë, duke lënë mënjanë shpikjet e Messit për dy golat e realizuar. Ne nuk luajtëm ashtu siç duhet dhe nuk i bëmë gjërat mirë në fushë. Në pjesën e dytë me pak më shumë qetësi dhe kujdes arritëm që t’i menaxhonim më mirë situatat. Gjithashtu krijuam raste që mund të na çonin te goli. Që të luash në ‘Camp Nou’, duhet të kesh lojtarë të mësuar, por të rinjtë tanë duhet akoma të mësohen. Tani të përqendrohemi në kampionat”.

Messi, rekordmen i Champions League

Lionel Messi vazhdon të thyejë dhe të koleksionojë rekorde. Me dopietën që i shënoi brenda 40 minutave të para Milanit, argjentinasi është bërë bomberi më i mirë i Ligës së Kampioneve, duke u nisur nga sezoni 1992-1993, kur u rikthye skema me fazën e grupeve. Me 58 gola të shënuar në këtë kompeticion, “Pleshti” ka lënë pas holandezin Rud Van Nistelroy që ishte ndalur në kuotën 56. Ai tashmë është vënë në ndjekje të rekordmenit të historisë në Ligën e Kampioneve, Raul Gonzales, i ndalur në kuotën e 75 golave. Kundër kuqezinjve, Lionel Mesi ka thyer gjithashtu një tabu personale, duke qenë se ata të djeshmit kanë qenë dy golat e parë me aksion ndaj skuadrave italiane. Në të gjitha rastet e tjera e pat festuar golin me goditje dënimi apo penallti.

Asgjë nuk i shpëtoi Kasait

Pas polemikave të shumta që pati sfida mes Manchester United dhe Realit, frika se ndonjë gabim arbitrar mund të ndikonte edhe në këtë takim është anuluar nga arbitri Vitor Kasai dhe ndihmësit e tij. “Bilbili” hungarez ka qenë perfekt, edhe në momentin e vetëm të dyshimtë, kur në fundin e pjesës së parë Pedro rrëzohet në zonë nga Abate, ndonëse pa top. Gjithsesi, me të drejtë Kasai ka lënë lojën të vazhdojë, duke qenë se katalanasi duket që e kërkon vetë kontaktin.


FC Barcelona vs AC Milan 4-0 HD 720p Spanish by MRLooka