Barcelona, 90 milionë euro për James Rodriguez

AP APTOPIX BRAZIL SOCCER WCUP COLOMBIA URUGUAY S SOC WSOC WCUP BRABarcelona e sezonit të shkuar? Harrojeni! Katalanasit po punojnë për t’i dhënë një fytyrë të re skuadrës që dështoi në çdo drejtim duke i dhënë fund një cikli të gjatë suksesesh.

Me blerjen e Suarez dhe të mesfushorit Rakitiç u mendua se shoqëria i mbylli llogaritë me merkaton në repartin e avancuar por presidenti, Josep Maria Bartomeu ka gati një tjetër ofertë të çmendur për të afruar në “Camp Nou” “Këpucën e Artë” të Botërorit, James Rodriguez.

Edhe pse është Reali i Madridit ai që ka shfaqur interes konkret për kolumbianin e Monacos, Barcelona ka në plan ta djegë konkurrencën e kampionëve të Europës me një ofertë prej 90 milionë Eurosh. Lajmin e bën të ditur gazeta katalanase “Sport”, sipas së cilës, “Los Blancos” në këtë moment nuk mund të hyjnë në garë pasi duhet ende të zgjidhin çështjen e largimit të Di Marias.

Për argjentinasin ka shfaqur interes Paris Saint Germain, por ende pa një ofertë zyrtare. Nga ana tjetër, Barcelona po avancon me hapa të shpejtë por në rast të afrimit të mesfushorit fantazist, atëherë situata bëhet kritike për njërin prej dyshes Messi-Neymar. Me blerjen e Suarez hapësirat në sulm zvogëlohen për të dy lojtarët që mund ta shikojnë veten jashtë planeve të trajnerit Luis Enrique.

Në këtë garë, më i rrezikuari duket argjentinasi që gjatë sezonit të fundit zhgënjeu me paraqitjet e tij të kushtëzuara edhe nga dëmtimet. Numri 10 rinovoi vetëm disa muaj më parë deri në vitin 2018 por ofertat marramendëse nga Paris Saint Germain dhe Manchester City mund t’i bëjnë drejtuesit katalanas të rimendohen. Në krahun tjetër qëndron Neymar që edhe pse vjen nga një sezon plot dritë-hije, konsiderohet si e ardhmja e skuadrës katalanase, e cila shpenzoi rreth 100 milionë Euro vetëm një vit më parë për ta bashkuar me grupin blaugrana.

Kohë të vështira për yjet e Barcelonës pasi të tjerë yje po lindin në horizont.