Barça me Camp Nou të ri

Tifozeria e Barcelonës e ka thënë fjalën e vet, mitiku Camp Nou do të ketë një fytyrë të re, pasi 72.36% e tyre votuan pro kësaj alternative në një referendum, ndërsa 25.5% u shprehën kundër rimodelimit të stadiumit aktual.
Me këtë rezultat, bordit drejtues me presidentin Bartomeu në krye i është hapur drita jeshile që projekti të nisë menjëherë zbatimin.

Në fakt ndryshimet nuk priten shumë shpejt sepse punimet do të kryhen në disa faza, duke filluar nga Maji i vitit 2017 deri në Shkurt 2021, kur parashikohet që Camp Nou të ketë totalisht një imazh të ri, shkruan SuperSport.

Një nga momentet më të veçanta në referendum ishte shfaqja e ish presidentit Sandro Rosell, i cili mund të quhet me të drejtë arkitekti i këtij projekti, sepse gjithçka nisi në kohën dhe me insistimin e tij deri në momentin e dorëheqjes nga çështja Neymar.

Presidenti aktual Josep Maria Bartomeu, teksa bëri të ditur rezultatet e referendumit, u shpreh shumë i lumtur dhe deklaroi se ky projekt është një hap gjigant që ecën paralelisht me shkëlqimin e skuadrës. Bartomeu tha më tej se me të mbaruar ky sezon, do të nisin diskutimet për të ardhmen, ndërsa në vitin 2021 të gjithë tifozët e blaugranave do të kenë një Camp Nou të ri që do të jetë krenaria e Barcelonës.