Banda e drogës, 8 në pranga në Shqipëri, bosi kapet në Itali

f1_11-prang1365691813Tiranë, 11 prill – Një rrjet i trafikut të drogës dhe armëve, i cili shfrytëzonte edhe prostituta, është goditur dje në mënyrë të njëkohshme në Shqipëri, Itali, Zvicër, Belgjikë dhe Francë. Tetë persona janë vënë në pranga në Shqipëri dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërkohë që 12 shqiptarë janë nën akuzë në Itali, edhe pse prej tyre janë kapur vetëm një pjesë.

Dritan Hoxha, një shqiptar që konsiderohet si bos i pjesës së bandës që vepronte në Itali, i njohur me pseudonimin “Mendjemadhi”, ka rëndë dje në prangat e policisë italiane së bashku me shtetasen shqiptare, Matilda Boja, 22 vjeçe. Kjo e fundit ra në pranga teksa po përpiqej të largohej nga banesa ku qëndronte në Varese, pasi, me sa duket, kishte mësuar mbërritjen e policisë. Ndërkohë që Dritan Hoxha akuzohet se ka drejtuar e koordinuar veprimtarinë e trafikut të drogës, armëve dhe prostitutave, tutorja e vërtetë në terren sipas hetuesve italianë ka qenë 22-vjeçarja shqiptare. Duke shfrytëzuar të qenët femër, ajo qëndronte mes vajzave në rrugë dhe i kontrollonte ato nga afër teksa ofronin shërbimin e tyre për klientët e ndryshëm, njofton Panorama.

Një tjetër shqiptare e arrestuar gjatë aksionit të koduar me emrin “Sotto Traccia” mësohet se është një e re me profesion infermiere me leje qëndrimi në Francë. Ajo dyshohet se është kujdesur për shëndetin e prostitutave gjatë aktivitetit të tyre në disa zona të Francës, ku banda kishte vendosur monopolin e saj.