“Banda” e azilit, në pranga

Zyrat e agjencisë turistike “Erhan Turs” në Prizren prej nga bëhet koordinimi i nisjes së tre autobusëve çdo natë për në Beograd, janë bastisur nga Policia e Kosovës në kuadër të operacionit policor, nga i cili është goditur grupi i organizuar që merret me organizimin për migrimin e shqiptarëve që ia kanë mësyrë Evropës. Nga zyrat e kësaj agjencie tashmë e njohur për transportimin me të madhe të shqiptarëve drejt Beogradit janë konfiskuar dokumente e lista udhëtarësh që kanë udhëtuar drejt Beogradit në muajt e fundit.

Ndonëse kjo kompani është më e madhe që merret me transportimin e shqiptarëve drejt Serbisë, nuk kanë shpëtuar pa u kontrolluar edhe tri agjenci të tjera në Prizren që po ashtu linjë të udhëtimit e kanë Beogradin.

Agjencitë tjera turistike të bastisura në kuadër të operacionit policor “Ereniku” sipas burimeve të gazetës, janë: “Fjolla Impeks”, agjencia “Adio Tours” dhe agjencia “Vector”. Këto zyra janë bastisur, por nuk ka pasur arrestime. Policia ka arrestuar tetë persona të tjerë që dyshohen se kanë vepruar si grup i organizuar dhe si të tillë kanë bërë organizimin e shqiptarët për t’u larguar ilegalisht nga Kosova përmes Beogradit e më pas nga Subotica për në Evropë.

Tash një vit nën hetim

“Kemi kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të tetë personave që janë të dyshuar dhe në ndërkohë i kemi kontrolluar katër agjenci turistike me të cilat të dyshuarit në shumicën e rasteve i kanë transportuar emigrantët pro nuk kemi prova të sigurta që pronarët e tyre kanë qenë direkt të involvuar në krim, por gjatë procesit të hetimeve të shohim se çfarë do të sjellë”, ka njoftuar drejtori i Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar, Rexhep Fetahu. Ky i fundit, informacionet në lidhje me këtë operacion të policisë të koduar “Ereniku” i ka shpalosur gjatë një konference të jashtëzakonshme të mbajtur të martën në Policinë e Kosovës, në ditën kur edhe është finalizuar me arrestimin e tetë personave si dhe me konfiskimin e provave që do t’iu shërbejnë për fazën e mëtejme të hetimeve.

“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar nën udhëheqje të prokurorit publik pas hetimeve të kryera që nga gushti i vitit 2012, ka hapur rastin i cili ka të bëjë me krim të organizuar me kontrabandim të emigrantëve dhe është quajtur ‘Ereniku’. Gjatë tërë kohës që prej është në hetime ky rast, janë vëzhguar, janë përcjellë veprimet kriminale të këtij grupi të cilët kishin qëllim kontrabandimin e emigrantëve nga Kosova për në shtetet evropiane pa dokumentacione, me dokumentacione false edhe e tërë kjo për përfitim të tyre material”, ka bërë me dije Fetahu.

Tarifa: 2.500 euro deri në 4 mijë euro

Fetahu nuk ka specifikuar rolin që kanë pasur tetë personat që tashmë iu është caktuar masa e paraburgimit por vetëm ka njoftuar se ata janë marrë me identifikimin e personave që kanë pasur synim largimin nga Kosova.“Gjatë këtij operacioni janë arrestuar tetë të dyshimit që kanë vepruar tërë kohën në këtë grup por disa prej tyre janë edhe recidivistë. Fokusi i tyre ka qenë grumbullimi i nevojtarëve apo qytetarëve të Kosovës të cilët dëshirojnë të migrojnë në shtetet e migrimit. Ata kanë shfrytëzuar vija të ndryshme sidomos rrugën e transportit rrugor me autobus ose me vetura por edhe kanë falsifikuar dokumente”, ka thënë Fetahu,shkruan zeri.

Tetë personat, dyshohet se kanë përfituar nga 2 mijë e 500 deri në 4 mijë euro nga secili person që ia ka mësyrë Evropës përmes këtij grupi. Të tillë që kanë paguar para, policia ka identifikuar 30, dhe të tjerë sipas Fetahut pritet që të identifikohen gjatë fazës së mëtutjeshme të hetimeve që po i udhëheq prokurori i Prokurorisë Themelore.

Prokurori ka marrë pjesë edhe në aksionin e së martës së bashku me Policinë dhe Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës. Aksioni i policisë është realizuar në katër rajone të Kosovës përkatësisht në gjashtë qytete, Prishtinë, Ferizaj, Shtime, Prizren, Pejë e Rahovec. Në tërë bastisjet e bëra policia ka konfiskuar numër të madh të dokumenteve që përfshijnë pasaporta, letërnjoftime të viktimave, formularë të ndryshëm, transaksione bankare, lista të udhëtarëve, tri revole të kalibrave të ndryshëm, një pushkë automatike, tri pushkë gjuetie, 150 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 22 telefona celularë, etj.
Tërë këto prova, intervistat e të dyshuarve të dhëna të martën në polici e dëshmitë tjera përcjellëse do t’i përcillen gjykatës. Tetë të arrestuarve nga ana e policisë iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa gjatë të mërkurës ata do të dërgohen te gjyqtari i procedurës paraprake për caktimin apo jo të masës së paraburgimit./LajmeOnline/