Balotelli: Jam po i njëjti Mario, por i maturuar

loading...

balotelli

loading...
Në Covercano ku po hedh themelet Italia e Botërorit të Brazilit, trajneri Cesare Prandelli kërkon t’i japë vazhdimësi projektit të nisur në Euro 2012 me një skuadër moderne, të bazuar te loja ofensive dhe mbi të gjitha e barabartë për t’u përballur pa frikë me më të fortët e planetit. Një prej elementëve jetikë për të bërë të mundur funksionimin e formulës së ideuar nga tekniku, është sulmuesi i Milanit, Mario Balotelli, i cili foli në një konferencë për shtyp përpara sfidës eliminatore kundër Maltës. Por më shumë se për kundërshtarin, SuperMario flet për ambjentimin e tij në skuadrën e kaltër dhe mbi të gjitha në Itali. Galliani e ka cilësuar si një nga 5 sulmuesit më të mirë në planet, por bomberi reagon me modesti.

“I falënderoj të gjithë ata që pas ndeshjes kundër Brazilit kanë thurur elozhe për mua por nuk kam nevojë për krahasime. Unë nuk bëj pjesë mes 5 më të mirëve por as mes 5 më të dobtëve të botës, thjesht synoj të përmirësohem sa më shumë çdo ditë. Tashmë jam më i pjekur sepse do të mbush 23 vjeç. Dalëngadalë rritesh me eksperiencat e mira dhe të këqija. Unë jam ky që jam, apo më mirë ai që kam qenë gjithmonë. Edhe pse nuk luaja me vazhdimësi”. Ka shënuar gol në çdo ndeshje, që kur është kthyer në Italia, me përjashtim të derbit: “Isha i emocionuar, sepse ishte diçka e bukur të luaje atë ndeshje, por nuk isha absolutisht nervoz”. Kombëtarja duket se ka hapur dyert për Totti-n: “Ndoshta! Është një fenomen, kampionët e mëdhenj janë gjithmonë të mirëpritur”.

Dhe sa i përket mënyrës së si e kanë përjetuar prindërit mbrëmjen me Brazilin: “Babai më tha se kisha gabuar shumë, por arrita të shënoja një gol të bukur. Ndërsa mamaja ishte kënaqur shumë. Nuk kam ndryshuar, jam maturuar pasi po rritem, nuk jam më 17 vjeç. Me eksperiencën e fituar rritesh gjithmonë. Nuk kam qenë kurrë një person fals, e di se çfarë mund të bëj, e di se cila është fuqia ime. Krahasimet po jua lë juve”. Sa i rëndësishëm është Prandelli për Balotelli-n? “Gjithmonë kam patur pranë njerëz, që më kanë dashur të mirën. Prandelli njeh familjen dhe miqtë e mi. Për shumë veta jam simpatik, por jo për të gjithë. Pas Europianit, popullariteti im është rritur. Falë Italisë më duan shumë edhe tifozë të skuadrave të tjera”.

Malta është ndalesa e radhës, një kundërshtar modest, por SuperMario nuk mund të mos mendojë as për Serie A. “Objektivi i ardhshëm është që të luajmë një ndeshje të madhe. Në aspektin afatgjatë? Të fitojmë kundër Chievo në kampionat”. Në fund, Balotelli kërkon të tregojë vërtet se ka ndryshuar, duke bërë një hap pas për gjestin që krijoi as shumë polemika kur hodhi në tokë fanelën e Interit. “Nëse kthehem pas në jetë, nuk do të kisha bërë vetëm një gjë, të hidhja përtokë fanelën e Interit”. Një gjest për t’u vlerësuar ky nga ana e Balotellit, ndoshta edhe një shtrirje dore ndaj tofozëve zikaltër që dashurinë ndaj tij e kthyen në urrejtje.

Nuk mund ta evitojë pa prekur çështjen e racizmit nëpër stadiume: “Thjesht më nervozon. Më vjen keq, sepse gjithmonë përfundojmë të flasim për këtë gjë dhe situata nuk përmirësohet aspak. Më në fund, kundër Brazilit u fol për ndeshjen dhe jo gjëra sekondare. Jam dakord me Boateng: nëse nuk e luftojmë të gjithë së bashku, do të humbasim”.

loading...