Babai i pilotit: Nuk e martova dot Donaldin, më 7 gusht kishim dasmën

loading...


Vesel Hoxha, babai i pilotit të rënë në detyrë gjatë një stërvitjeje rutinë ushtarake, nuk arriti dot të gëzonte dasmën e të birit. Mes dhimbje e lotësh, ai pret e përcjell të afërm e miq që e ngushëllojnë
Ai ka mbaruar edhe vetë Akademinë Ushtarake dhe si oficer në detyrë, e konsideronte të birin edhe koleg të tij. Kishte qenë dëshira e Donaldit për të ndjekur gjurmët e të atit. Ai kishte lënë në mes Inxhinierinë dhe nisi Shkollën Ushtarake për pilot në Itali.
Pak ditë më parë, Donaldi bashkë me të fejuarën e tij, një mësuese nga Kuçova, kishte qenë për të festuar ditëlindjen e babait të tij, vizitë kjo që do të ishte e fundit për të në familjen e tij.
Kolegët ushtarakë e çuan trupin e pajetë të Donaldit në Kuçovë rreth orës 04:00, aq sa të “çmallej” për të fundit herë. Në orën 09:00, trupi i të ndjerit është vendosur në mjetet ushtarake, të cilat e transportuan në Tiranë ku do të kryhej ceremonia dhe më pas lamtumira e fundit e të dy pilotëve në Varrezat e Dëshmorëve
Z. Hoxha, si e mësuat lajmin e vdekjes së djalit tuaj?
Fillimisht mësova diçka nga televizori. Pashë lajmin që kishte rënë një helikopter në liqenin e Shkodrës. Unë nuk e dija se djali atë ditë do të ishte në Shkodër për stërvitje. Më pas doli lajmi që djali im ishte i plagosuri. Pavarësisht kësaj, unë u nisa menjëherë në drejtim të Shkodrës. Tani që po flas, nuk më besohet ende se ka ndodhur kjo ngjarje.
Kur mbërritët, e kishin nxjerrë trupin?
Kur mbërrita, e gjeta djalin pa jetë. Kjo ishte tronditja më e madhe dhe nuk di si ta përshkruaj. Humba ndjenjat, kur u përballa me tim bir në atë gjendje. E mblodha veten duke e përqafuar trupin e tij dhe nuk ndahesha dot… Me atë tronditje që kisha për këtë ngjarje të rëndë që na ra në pjesë, u ktheva për të qetësuar familjen dhe fëmijët në Kuçovë. Në shtëpi kishte nisur kuja. Nuk isha në gjendje t’i thosha asgjë as nënës së tim biri.
Sa kohë kishit pa e takuar djalin?
Katër ditë kisha pa e takuar. Ai erdhi bashkë me nusen e tij, pasi unë festoja ditëlindjen. Biseduam kryesisht për dasmën e tij që e kishim prerë në datën 7 gusht. Ndejti vetëm një natë, pasi i duhej të kthehej për përgatitjet që po bëheshin për festimet e 7- vjetorit të NATO-s.
Ishte dëshira e djalit për t’u bërë pilot?
Donaldi e kishte ëndërr pilotimin. Ai sakrifikoi duke lënë në gjysmë shkollën që vazhdonte për Inxhinieri mjedisi dhe vazhdoi Shkollën Ushtarake për pilot në Itali. Pasi mbaroi studimet atje, ishte tepër i kënaqur. Me sa duket, ky ka qenë fati i djalit. Por unë nuk arrita dot të bëja një dasmë dhe ta martoja… (Panorama)
kapteri-donald-hoxha-me-familjen_1460183276-7157011

loading...

loading...