Babai i Dianës: Makifete Saliuka e bllokoi mbrojtjen e jetës së vajzës time

foto

Përveç ish-kryetares së Gjykatës, Saliuka, dhe gjyqtarit Shabanaj, i përfshirë në këtë çështje të pistë gjyqësore rezulton edhe gjyqtari Albert Zogaj

“Humbja tragjike e jetës së Dianës dyshojmë se është pasojë e një skenari të iniciuar dhe udhëhequr nga ish-drejtuesja e Gjykatës Komunale, Makifete Saliuka, dhe vartësit e saj – gjyqtari Albert Zogaj dhe më pas Enver Shabanaj. Ekzistojnë dyshime të bazuara se shtetasi A.J., i cili sot është në kërkim për vrasje, të ketë bërë marrëveshje të pistë paraprake gjatë janarit 2011 e këndej me kryetaren e Gjykatës, Makifete Saliuka, me vartësit e saj Zogaj dhe më vonë edhe Shabanaj, për t’i dhënë atij mbështetje të plotë gjyqësore përmes heshtjes dhe mosveprimit ligjor, në procesin e mosdhënies së divorcit të kërkuar në janar dhe më vonë në prill 2011, edhe në mosdhënien e urdhrit për mbrojtje EMERGJENTE brenda 24 orësh për Diana Kastratin… veprim ky që kishte çuar në vrasjen e vajzës sonë te re, Diana Kastratit”, janë këto dyshime të bazuara, që familja dhe kryefamiljari Gëzim Kastrati, po i vuan në mendjen dhe shpirtin e tij prindëror për gati 2 vjet, shkruan “Kosova Sot”.

“Në bazë të procedurave, bllokimeve dhe mosveprimeve të qëllimshme dhe të jashtëligjshme, ashtu siç është trajtuar rasti, dyshoj shumë se i dyshuari për vrasje ta ketë marrë një iniciativë qysh në janar 2011 për ndërhyrje të paligjshme tek kreu i Gjykatës dhe përgjegjësit e saj. Unë dhe vajza ime, Diana, kemi bërë kërkesa dhe shumë herë kemi kërkuar takim pune për ta informuar Makifete Saliukën si kryetare e Gjykatës, për t’ia prezantuar rastin, me çka na kishte bllokuar dhe shpërfillur plotësisht për pesë muaj rresht në të drejtën tonë të ligjshme e kushtetuese, por ajo kurrë nuk na ka pritur dhe nuk na ka pranuar, duke na refuzuar përmes heshtjes për motive që më së miri ajo vetë i di, por unë gjithsesi dyshimet i kam të mëdha dhe po i vuaj thellë e shpirtërisht”, ka thënë Gëzim Kastrati, babai i Dianës së vrarë.

Pas dritës jeshile që ndezi Gjykata Kushtetuese mbi rastin e Diana Kastratit, ku u evidentuan një sërë shkeljesh të ligjit dhe Kushtetutës nga gjyqtarët e Gjykatës Komunale, dalin në dritë fakte të reja mu nga familja e saj Kastrati, të cilat deri më sot nuk janë përmendur.

Babai i Dianës, Gëzim Kastrati, i cili nuk është ndalur dhe siç thotë ai me të drejtë se nuk do të ndalet kurrë për të kërkuar deri në fund drejtësi të merituar me ligj dhe Kushtetutë, është rrëfyer ai para dy ditësh se cilat ishin indikacionet dhe dyshimet e bazuara gjatë tërë kohës që i detyruan ata si familje, që të sorollaten kot dhe të bllokuar në dyert e mbyllura të institucioneve të drejtësisë dhe që çuan në vrasjen e Dianës së pafat.

“Që prej janarit të vitit 2011, edhe sa Diana ishte gjallë, përditshmëria e familjes sonë Kastrati ishte zhvendosur në Gjykatën Komunale të Prishtinës, me shpresë se në këtë institucion të themelit të Gjyqësorit do ta kenë mbështetjen e bazuar në ligj e Kushtetutë. Për fatin tonë të keq, humbja tragjike e jetës së Dianës, duket se
është pasojë e një skenari kriminal të iniciuar nga ish-drejtuesja e Gjykatës Komunale, Makifete Saliuka, dhe
vartësit e saj Albert Zogaj dhe më pas Enver Shabanaj”./kosovalbaner.com