Autostrada rrit numrin e të punësuarve

Nuk dihet ende se sa punëtorë vendorë do të angazhohen në projektin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, e emërtuar Arbën Xhaferi”. Zyrtarë të kompanisë Bechtel-Enka, e cila tashmë ka filluar ndërtimin e saj, thonë se objektiv i tyre është që numri i të punësuarve lokalë të jetë sa më i madh. Ndërkohë sindikalistët kërkojnë nga të gjithë ata që krijojnë marrëdhënie pune, të kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre, në përputhje me ligjet në fuqi.

Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit apo rruga 6, e emërtuar “Arbën Xhaferi”, pritet të ndikojë pozitivisht në aspektin e punësimit. Zëdhënësja e kompanisë Bechtel-Enka, Ela Ruçi, thotë për Radio Kosovën se në këtë projekt do të angazhohet një numër i madh i punëtorëve lokalë, që tashmë janë në fazën e trajnimit dhe rekrutimit.

“Projektet për ndërtimin e autostradave të tilla janë sezonale, pra puna është sezonale, sezoni i dimrit është më pak, kurse ai i verës më shumë. Ajo që mund të premtoj apo të garantoj tani është që angazhimi jonë është që numri i personelit lokal të jetë sa më i madh”, thotë Ruçi.

Përfaqësuesit e punëtorëve mirëpresin fillimin e autostradës dhe punësimin e punëtorëve në këtë projekt që do të zgjasë rreth tre vjet e gjysmë. Por nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Alush Sejdiu, ua tërheq vërejtjen atyre që do të punësohen, që të kenë kujdes gjatë nënshkrimit të kontratave.

“Ne i kishim lutë të gjithë ata që punësohen dhe krijojnë marrëdhënie pune me kompaninë, t’i kërkojnë të drejtat e tyre dhe të kenë kujdes gjatë nënshkrimit të kontratave, në mënyrë që ne edhe si sindikatë dhe përfaqësues të punëtorëve të kemi mundësinë e monitorimit dhe të përkujdesemi për nivelin e zbatimit të kontratës së punës”, thotë Sejdiu.

Gjatë ndërtimit të autostradës Prishtinë-Vërmicë, ishin angazhuar rreth 3 mijë punëtorë lokalë. Shumë sish ishin ankuar për kushtet e vështira të punës, për lëndime në punë, orarin e stërzgjatur, pagesën e ultë për orë pune etj. Por zëdhënësja e Bechtel Enkës, Ela Ruçi hedh poshtë këto ankesa.

“Sigurisht se puna është me orë të zgjatura sepse ndërtimi është i tillë. Të gjitha orët e zgjatura nga kompania paguhen sipas ligjeve të Kosovës me koston mbi 50 për qind për orët ekstra”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, Alush Sejdiu nga BSPK rekomandon që punëtorët e autostradës së re të organizohen në një sindikatë që do të adresonte të gjitha shkeljet e mundshme.

“I lusim ata që të kenë organizim sindikal, përndryshe do ta kemi tepër të vështirë të bëjmë ndonjë monitorim. Kjo nuk duhet t’i frikësojë, këtë ua mundëson ligji i punës, ligji mbi sigurimin sindikal dhe së fundmi edhe marrëveshja kolektive”, shton ai.

Ndërtimet në autostradën Prishtinë Hani i Elezit nisën më 3 korrik. Gjatësia e autostradës do të jetë rreth 60 kilometra, punimet në të do të zgjasin 42 muaj, kurse kostoja është paraparë të jetë rreth 600 milionë euro. /rtk/