Audi RS7 Sportback, veturë për të gjithë

audi

Audi RS7 Sportback, që ka bërë debutimin në panairin e veturave në Detroit, si veti kryesore e ka dinamikën. Dizajni autentik, teknologjia inovative dhe pamja impresive sportive-këto janë tiparet që e dallojnë Audi RS7 Sportback.

Me motor të fuqishëm

Kupeja e madhe me 5 dyer përdor një motor 4.0 litërsh TFSI i cili prodhon 412 kW (560 kuaj fuqi). Kjo mundëson që përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, ta arrij për 3.9 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale mund të rregullohet sipas dëshirës së blerësit dhe ajo mund të arrij deri në 305 km/h.

Edhe përkundër këtyre performancave superiore, Audi RS7 Sportback konsumon mesatarisht vetëm 9.8 litra për 100 kilometra të kaluar. Kjo vlerë e lartë arrihet falë sistemit standard start-stop dhe menaxhimit inovativ termal. Teknologjia inovative më efikase në Audi RS7 Sportback është sistemi i cilindrave sipas kërkesës (COD).

Në ngarkesën e ulët e deri te ajo e mesme, motori deaktivizon cilindrat 2, 3, 5 dhe 8 duke mbyllur valvulet përmes lëvizësve elektro-mekanik. Teknologjia COD redukton konsumimin e karburantit NEDC për 5 për qind, ndërsa një kursim prej 10 për qind e arrin kur vozitet me shpejtësi të moderuar.

Pajisje të shumta

Transmisioni Tiptronic me 8 shpejtësi është punuar në mënyrë të posaçme për t’iu përshtatur karakterit sportiv të Audi RS7 Sportback. Vozitësit mund të zgjedhin mes versionit D dhe S, apo të ndërrojnë vetë marshet, duke përdorur tastet e ndërrimit në timon, i cili ka një dizajn unik RS.

Audi RS7 Sportback vjen standard me sistemin e tërheqjes me katër rrota Quattro All-wheel, çka nënkupton se ofron standard të lartë të sigurisë. Standarde i ka edhe fellnet nga alumini 20 inç. Një elegancë dinamike shihet edhe në interier. Paneli i instrumenteve ka nuancë të zezë, korniza të bardha dhe drita të kuqe. Logoja 3D RS7 në takometër është një zbukurim shtesë.

Timoni tre rrembash nga lëkura, dorëzat e dyerve nga alumini i shkëlqyer dhe ekranet për informata për vozitësin, po ashtu janë tipare sportive RS. Ngjyrat dhe materialet ofrojnë ndryshime shtesë. Ulëset sportive RS me mbështetëse integruese për kokë, janë standarde.

Ato janë të mbështjella me lëkurë të zezë Alcantara, ndërsa në mes kanë një shirit me ngjyrë diamanti. Edhe sistemi i audios është i teknologjisë së fundit, çka mundëson një argëtim në maksimum. Të gjitha këto dhe shumëçka tjetër, me siguri se do të tërheqin një numër të madh blerësish.