Artisti shqiptar me famë në Serbi(video)

tafili

Tafil Musoviç është një piktor me prejardhje shqiptare, i cili jeton prej 25 vitesh në Amsterdam. Por ai është rritur në Beograd dhe është kthyer këto ditë në parajsën e tij, për të hapur një ekspozitë të re. 

Shtypi serb e feston piktorin e njohur dhe i dedikon shpesh faqe të tëra punës së tij. Por Tafil Misovic nuk e kishte gjithmonë kaq lehtë. Një shqiptar i lindur në Kosovë dhe i rritur në Serbi. Gjithnjë i huaj në çdo atdhe që ka krijuar, kështu e ka konsideruar veten shpesh.

Si piktor e ka ndjerë nacionalizimin në lëkurë. Filozofia e tij për të mbijetuar në një botë gati të dyzuar ka qenë të lërë punën dhe pikturat e tij të shprehin si e ndjen ai botën që e rrethon, edhe pse në fillimet e tij si artist nuk e pati lehtë të depërtojë ne botën e artit për shkak të prejardhjes së tij: “Përkundër prejardhjes sime shqiptare, asnjë shqiptar, kurrë, madje as në kohën e ish-Jugosllavisë, nuk më ka kërkuar të ekspozoj ku jetojnë shqiptarët. Për ta kam qenë serb, kurse këtu më kanë quajtur shqiptar. E vetmja gjë që kam bërë ka qenë ta përfundoj punën time ashtu siç kam menduar se duhet.”

Artisti i famshëm jo vetëm në Serbi, por edhe në shumë vende evropiane, e ka quajtur ekspozitën “Gjendja e parajsës”. Në të ai prezanton peisazhe në forma të ndryshme të kombinuara me erotikën. Thotë se ka paraqitur vetëm atë që ka ngelur nga “parajsa e shkatërruar”: “Këto vizatime erotike janë bërë ndaras nga peisazhet. Por, kam menduar t’i përfshij si një provokim pasi kam kuptuar se ashtu siç ekziston pornografia në marrëdhëniet seksuale, ekziston edhe në natyrë. Njerëzit e përdorin natyrën në mënyrë pornografike dhe e përdorin pa asnjë dashuri. Por, vetëm eksplorim”.

Parajsa e Tafilit ka qenë një rrugëtim me rite të tjera dhe me vetëbesim. Pikërisht këtë shprehin pikturat e tij.(tch)