Artim Shaqiri: Ballistë! Më vjen shumë keq që Ju

artim-shaqiri

Trajneri i Shkëndijës, Artim Shaqiri, përmes një demanti ka reaguar rreth tekstit të fundit nga shoqata e tifozëve “Ballistët” publikuar në gazetën Lajm lidhur me akuzat që i janë bërë atij për siç kanë shkruar “ballistët”- “trukime të ndeshjeve gjatë këtij sezoni”.

“Të nderuar Ballistë!Më vjen shumë keq që Ju, të cilët unë gjithmonë ju konsideroj lojtarin e dymbëdhjetë të Shkëndisë, me impononi që komunikimi ynë të zhvillohet përmes medieve. Sidoqoftë, e ndjej për obligim moral dhe profesional të ju drejtohem. Shkaqet e disfatës kundër Vardarit, si çdo rezultat pas një ndeshjeje do të jenë temë diskutimi në skuadër dhe shpresojmë se me bashkëpunim të ndërsjellë do të jemi më të përgatitur për ndeshjet në vijim”, thuhet mes tjerash në demantin e tij.

Trajneri Shaqiri dëshiron të theksoj se tërë jetën ia ka kushtuar sportit dhe kurrë nuk është marrë me asgjë tjetër veç këtij profesioni.

“Futbolli për mua përveç se është profesion, mbi të gjitha është pasion i shenjtë. Rrjedhimisht, kurrë nuk jam marrë me tregti, e aq me pak me tregti për atë që për mua unë e konsideroj TË SHENJTË.  Me lejoni të përsëris që Artim Shaqiri është i lindur nga nëna dhe baba SHQIPTAR dhe si i tillë i ka mbajtur të gjitha fanelat sportive gjatë karrierës. Jo rastësisht karrierën time si trajner e kam filluar në klubin më të suksesshëm shqiptar tek ne. Që në prezantimin tim të parë  si trajner i Shkëndijës unë kam shfaqur se objektivi i ekipit është titulli i dyfishtë dhe do të jap maksimumin nga vetja qe t’ia arrijmë”, vazhdon demanti i trajnerit të Shkëndijës.

P.S. Ne si sportistë dhe sportdashës duhet të apstrahojmë gjithçka që nuk lidhet drejtpërdrejt me fushën e sportit. Shpresoj që turbulencat e fundit në Kryesi të mos kenë ndikuar, as tek lojtarët e klubit, e as tek mbështetësit tanë më të fuqishëm-Ballistët.

Me Respekt

Artim Shaqiri