Arrestohet për përvetësimin e 100 mijë eurove të VIP-ave

f1_27-vip-at-balline-te-kronika1364407154

Tiranë, 27 mars – Një ish-drejtor i një banke në Tiranë është vënë nën pranga, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Policia e Tiranës bëri me dije se nga hetimet e kryera ish-drejtori Genci Markollari ka ndërhyrë në llogaritë bankare të klientëve VIP në bankë duke kryer një dëm prej 100 mijë eurosh.

Zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini bëri të ditur se arrestimi i shtetasit 37- vjeçar, Genci Markollari, me detyrë drejtor i një banke të nivelit të dytë në vitet 2004-2012, është bërë në kuadër të një operacioni të koduar “Bankieri”, njofton BW.

Sipas saj, ai akuzohet se ka përfituar një shumë prej mbi 100 mijë eurove, që e ka tërhequr cash nga llogaritë e klientëve të mëdhenj të bankës në të cilën ishte i punësuar.

“Ish drejtori, duke shpërdoruar detyrën, ka tërhequr para kesh nga llogaritë duke bërë derdhje virtuale, apo fiktive me dëm ekonomik mbi 100 mijë euro. Këtë aktivitet ai e ka bërë në bashkëpunim me punonjës të tjerë të bankës, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për efekt hetimesh, në afat 2 vjeçar në llogaritë e mbi 5 klientëve”, tha ajo.

Mësohet se ai ishte shkarkuar nga detyra pas një denoncimi në muajin dhjetor të vitit 2012.