Arrestohen 2.311 Kosovar ne Serbi

Passport.jpg1


Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë Nebojsha Stefanoviç ka deklaruar se, gjatë një muaji e gjysmë, policia serbe ka arrestuar 2.311 shtetas nga Kosova, të cilët kanë tentuar që ilegalisht ta kalojnë kufirin Serbi-Hungari.

Pas marrjes së masave nga Serbia, numri i tentativave të klandestinëve kosovarë për të kaluar ilegalisht kufirin me Hungarinë ka rënë, ka thënë Stefanoviç për televizionin publik serb.

Ai gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin me 20 policët gjermanë të cilët para dy ditësh, me automjete speciale dhe kamera termovizive, u erdhën në ndihmë kolegëve serbë, transmeton KosovaPress.

Ministri serb ka thënë se vazhdimisht është në lidhje me kolegët e tij nga Gjermania, Austria dhe Hungaria, prej se në shkurt të këtij viti në mënyrë drastike u rrit numri i emigrantëve ilegalë. Sipas informatave të Stefanoviç, në kampet e Hungarisë gjenden mbi 40 mijë njerëz, ndërsa në Austri 30.000.

Këta njerëz rrezikojnë të marrin padi penale dhe kundërvajtëse, ndërkohë që vetëm 0,5 deri 1 për qind të kërkesave të kosovarëve për azil ka gjasa që të pranohen, ka thënë ministri i policisë serbe.