Arrestimi i vrasësve me pagesë: Ja sa ishte cmimi për ekzekutimet (VIDEO)

Passport.jpg1

Zbardhen detaje nga veprimtaria e të ndaluarve, të dyshuar si vrasës me pagesë. Policia bën me dije se Kristi Pine nga Shkodra, i arrestuar, e dy të tjerë, A.G. nga Pogradeci dhe Alfred Qefalia po nga Shkodra, po mbahen të ndaluar deri në përfundim të hetimeve.

Sipas të dhënave më të fundit, Pine dhe Qefalia merrnin porosi për ekzekutimet nga Admir Tafili, emër i njohur për drejtësinë, së fundi si një nga të arratisurit e burgut të Drenovës.

Sipas hetimeve mësohet se vrasjet që porositeshin nga Tafili ekzekutoheshin nga të dyshuarit në këmbim të shumave nga 5 deri në 20 mijë euro.

“Panorama”, raporton se policia e Tiranës ka ndaluar dje tre persona të dyshuar për sulmin me eksploziv ndaj biznesmenit të ndërtimit, Armando Çeka, ngjarje e ndodhur një vit më parë në kryeqytet.

Të ndaluarit akuzohen edhe për një vrasje të ndodhur në qershor të 2014- s në Shkodër dhe një tentativë vrasjeje po në këtë qytet.

Policia nuk i bëri të ditur emrat e plotë të të dyshuarve, pasi ata dyshohet se janë paguar nga persona të tjerë për kryerjen e këtyre ngjarjeve dhe po punohet në drejtim të identifikimit të porositësve.

Zyrtarisht, Policia e Shtetit tha dje se nga hetimet e nisura më 4 shtator 2014, pas vrasjes së mbetur në tentativë të shtetasit E.Ç. në Shkodër, u arrestua shtetasi me iniciale K.P.

Ndërsa u ndaluan edhe shtetasit A.G., 41 vjeç, nga fshati Buçimas i Pogradecit, i dënuar më parë për grabitje dhe shtetasi A.Q. nga Shkodra.