Armend Dallku do të largohet nga kombëtarja

foto (1)Dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Botërorin ‘Brazili 2014’, ato ndaj Zvicrës e Qipros, mund të jenë të fundit të Armend Dallkut me Kombëtaren e Shqipërisë. Futbollisti kosovar gati qe nëntë vite ishte lojtar i rëndësishëm i ekipit kuq e zi, por kohëve të fundit vendi i tij në kombëtare është rrezikuar.

Kjo ka bërë që ish futbollisti i Kosovës së Vushtrrisë dhe Prishtinës ta shqyrtojë shumë seriozisht të ardhmen e tij. Por, mbrojtësi i Vorskla Poltavas ka thënë se vendimin përfundimtar do ta marrë pas këtyre eliminatoreve, deri në fund të të cilave kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe dy xhiro.

“Pasi të përfundon ky cikël garues, të gjithë do të ulemi për ta analizuar ecurinë e skuadrës sonë. Po ashtu, unë do të flas me bashkëlojtarët e mi, me trajnerin tim, me krerët e Federatës, prej të cilëve dua të mësoj se a u nevojitet akoma kontributi im apo jo. Pas kësaj do ta marr një vendim përfundimtar, mbase edhe të qëlluar”, tha për Arenën futbollisti i ekipit ukrainas.