Ndërkohë që vendi i 42 milionë banorëve kishte shpërthyer i tëri në lot e ngashërima, në krah të argjentinasve shfaqen brazilianët, por jo për t’i ngushëlluar. Edhe pse u shpartalluan turpshëm nga gjermanët, tifozët brazilianë që në fillim të finales deklaruan suportin e tyre për europianët, ndërsa në rrugët e Rios u bashkuan me kampionët në festë, duke kënduar ironikisht “Qaj, qaj Argjentina”. Ishte kjo përgjigja më e mirë që brazilianët mund t’i jepnin rivalëve të urryer e për më tepër Diego Maradonës, i cili këto ditë, në çdo rast të mundshëm festonte për disfatën 7-1 të Selecaos.
Ndërkohë në Buenos Aires, pa mbaruar ende spektakli i fishekzjarreve mbi Maracana, qindra tifozë festonin trofeun e nënkampionit, ndërsa qindra të tjerë të zhgënjyer dolën në rrugë duke e nxjerrë inatin e Kupës së humbur me përleshje të dhunshme me policinë. Vendtakimi i të revoltuarve ishte te Obelisku, simboli i kryeqytetit argjentinas, ku zakonisht tifozët mblidhen për të festuar në raste suksesesh të La Seleccion. Për disa momente turma ishte e papërmbajtshme, duke i detyruar forcat e policisë të përdorin plumba gome, gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndaj tifozëve të tërbuar. Një luftë e vërtetë me pasoja të konsiderueshme. Krahas dëmeve të shumta materiale rreth sheshit të betejës, 8 policë mbetën të plagosur, ndërsa mbi 50 tifozë përfunduan në pranga. Një kontrast i jashtëzakonshëm si nata me ditën me atmosferën që ofronte Brazili.
Pothuajse në çdo cep të vendit ndihej ritmi i festimeve për kampionët e rinj të botës, por përjashtim mund të bëj kjo përleshje, këtë radhë brenda për brenda familjes. Me nervat të tendosura, disa dhjetëra tifozë argjentinas u përplasën me njëri-tjetrin teksa dilnin kokëulur nga Maracana. Gjithsesi festa e gjermanëve vazhdoi për orë të tëra pa u penguar nga asgjë.