Ardian Bujupi, për tre muaj shkatërron tre Peugeot

f1_28-ardb-balline-te-showbizi1364488410

Këngëtarit me rrënjë shqiptare nga Kosova, Ardian Bujupit i janë dashur vetëm tre muaj për t’i shkatërruar tri vetura! Nga shtatori deri në dhjetor të vitit të kaluar ai i ka bërë për hekurishte tri “kerre” të forta, të cilat ia ka sponsoruar “Peugeot” këngëtarit të ri e me perspektivë.

Së pari Peugeot i kishte dhënë atij për shfrytëzim një 407 Coupé të zi, që kushton rreth 30 mijë euro. “Makina kishte 280 kuaj fuqi dhe unë nuk isha mësuar me diçka të tillë”, tha Ardiani për gazetën gjermane “Kurier”, transmeton Albinfo.

Dhe, aksidenti i parë ndodhi në Wiesbaden, kur këngëtari nuk arrin ta shohë të kuqen në semafor dhe vetura e tij u shkatërrua në tërësi. Peugeot ia sponsoron Ardianit një veturë të re. Nuk vonoi shumë dhe ndodhi edhe aksidenti i dytë. Kësaj here në Zvicër. “Aty ku ndaheshin dy rrugë, unë `zgjodha`mesin”, tha këngëtari temperament. Pas kësaj Peugeot ia dhuroi edhe një veturë, të tretën me radhë. Edhe ajo, në duart e Ardianit përjetoi fatin e njëjtë: u shkatërrua pasi i zoti i saj, në Heidelberg, ku jeton, nuk i pa dy drita të kuqe në semafor. Bilanci i përgjithshëm: tri vetura të shkatërruara brenda vetëm tre muajve dhe dënimi me një muaj heqje të patentës së shoferit.

Dënimi tjetër: “Peugeot” nuk ka më, së paku njëherë për një herë, vetura të tjera për Ardianin. Ndërsa, një e mirë në të gjitha këto të këqija është se askush nuk ka pësuar në këto tri aksidente. Përveç veturave të “Peugeot”.