Arben Dumani, nga refugjati ne bosin e kokaines

loading...

boss

loading...
Tabloidi britanik “Daily Mail”, i ka kushtuar një reportazh kosovarit Arben Dumani, i cili u kap nga policia skoceze në Glasgou vitin e shkuar, në flagrancë, teksa përpiqej të mbyllte një marrëveshje kokaine që kapte shifrat e 1.2 milion funteve.
Dumani, i cili është 23 vjeç, u dënua nga gjykata britanike me 12 vjet burg për trafikun e drogës.

Ai erdhi në Britani si një nxënës 10 vjeçar, duke i shpëtuar luftës në Kosovë, nis reportazhi i shkruar nga gazetari Grant McCabe. Në Britani shkoi për një të ardhme premtuese.

Por, 13 vjet pas emigrimit, Arben Dumani u demaskua si një nga bosët e një bande famëkeqe droge, e cila u përpoq të fuste në vendin që e strehoi një sasi kokaine që kapte shifrat e 1.2 milion funteve.

Gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij në Glasgou vitin e shkuar, policia sekuestroi më shumë se dy kilogramë drogë të klasit A, si dhe substanca të tjera narkotikësh të ndaluara me ligj në vend.

Fotot duke thithur kokainë, që banda publikoi në rrjetet sociale, u bë edhe shkas për fundosjen e këtij grupi kriminal.

Katërshja e grupit u dënua me 30 vjet burg e gjashtë muaj në total nga Gjykata e Lartë e Glasgout, transmeton Shekulli.

Shefi i hetimeve, Athol Aitken, tha në një intervistë: “Grupi i organizuar kriminal i drejtuar nga Arben Dumani, ka qenë i përfshirë në një sërë aktivitetesh kriminale që lidhen me trafikun e drogës, kryesisht kokainë, të cilat kapin shifrat e 1.2 milionë funteve”.

“Kjo është një shifër mjaft e konsiderueshme dhe mund t’i ketë shkaktuar mjaft dëme komunitetit skocez. Unë e mirëpres vendimin e gjykatës, e cila vendosi që pjesëtarët e kësaj bande të vendosen pas hekurave për krimet e bëra”.

Dumani ishte vetëm 10 vjeç, kur ai dhe familjarët e tij u arratisën nga Kosova nën kërcënimin e krimeve dhe gjenocidit serb, dhe erdhën në Skoci për një jetë më të mirë. Në vitin 1999, ai dhe gjashtë fëmijë të tjerë refugjatë, nisën ditën e parë të shkollës së tyre të re në perëndim të Glasgout.

I riu Dumani, teksa po fliste për përshtypjet e tij të para për atdheun e ri, tha në atë kohë: “Është mjaft mirë këtu, ne kemi luajtur futboll dhe kemi njohur mjaft miq të rinj”.

“Unë pikturoj këto shtëpi të bukura dhe po mësoj dita-ditës anglishten. Ka qenë një eksperiencë mjaft e mirë dhe jam mjaft i lumtur”.

Por, ditën e djeshme, 23-vjeçari u dënua me 12 vjet burg, pasi pranoi vetë në gjykatë për trafikun e tij të kokainës si dhe përfshirjen në një sërë aktivitetesh të ngjashme e të paligjshme. Dora e tij e djathtë, shqiptari Albert Memia, 25 vjeç, u dënua me 10 vjet burg, pasi u shpall fajtor për të njëjtat akuza. Dërguesi i ngarkesave, Fabion Ponari, 23 vjeç dhe Gjeorgj Phjetri, 28 vjeç, u dënuan me 5 dhe 3 vjet e gjysmë burg respektivisht.

loading...