Angli, ndihmoi një qytetare dhe një polic, nderohet shqiptari

Kreshnik Kukaj, punonjës sigurie, i cili më parë ka punuar edhe roje sigurie në Pallatin Mbretëror në Uinsdor, ku kalon pjesën më të madhe Mbretëresha Elizabetë, është nderuar nga Policia e “Thames Valley” në veri të Londrës për ndihmën e dhënë në shpëtimin e jetës së një viktime dhe një polici anglez, të cilët po sulmoheshin fizikisht nga një grup prej 4 të rinjsh anglezë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur Kreshnik Kukaj po kthehej me makinë nga puna dhe pa grupin e të rinjve të dhunshëm, që po sulmonin një person në rrugë dhe policinë në shërbim, që po i vinte në ndihmë asaj. Për shkak se ishin më të paktë në numër, ndihma e shqiparit duke rrezikuar praktikisht edhe jetën e tij, i cili kishte aftësi të veçanta për shkak të natyrës së punës që bën, bëri që të eliminonte fizikisht rrezikun e dhunes së 4 të rinjve dhe për pasojë shpëtoi jetën e viktimës dhe policit britanik, të cilët ishin duke u dhunuar rëndë nga të rinjtë.

Në një ceremoni të zhvilluar të martën në mbrëmje në ambientet e Policisë në Uindsor, ku merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të kësaj force policore dhe dy deputetë të zonës, Kreshnik Kukajt iu dha “Certifikata e Nderimit”.

Sipas zyrtarit më të lartë të kësaj force policore, “kjo ishte hera e parë në karrierën e tij prej 30 vitesh si kryepolic, që një punonjës sigurie dhe për më tepër një shqiptar, të kishte dhënë një ndihmë kaq të vyer dhe vendimtare duke rrezikuar jetën e tij, për jetën e dy njerëzve të tjerë, njëri prej të cilëve polic”.

Kreshnik Kukaj, djali i ish-kampionit të peshëngritjes së ekipit të Partizanit në vitet ’60, Selaudin Kukaj, tha për korrespondentin e Top Channel nga Londra: “Jam i privilegjuar dhe falënderoj këtë vend dhe shtet, të cilit nuk di si t’ia shpërblej për atë që kanë bërë dhe ofruar, për mua personalisht dhe për të gjithë shqiptarët e Britanisë së Madhe”.

Rasti i Kreshnik Kukajt i bën nder komunitetit shqiptar të Britanisë dhe konfirmon edhe njëherë se, shumica dërrmuese e shqiptarëve të Britanisë janë njerëz të ndershëm, që bëjnë gjithçka për t’u integruar dhe shpërblyer mikpritjen dhe bujarinë e treguar ndaj shqiptarëve.