Ancelotti i lumtur me fitoren; Guardiola optimist për sfidën e kthimit

0

Fitorja 1-0 në gjysmëfinalen e parë të Uefa Champions League përballë Bayern-it ka lumturuar së tepërmi trajnerin e Realit të Madridit, Carlo Ancelotti, me italianin që vlërësoi së tepërmi paraqitjen dhe përkushtimin e futbollistëve të tij.

“Jam i kënaqur me gjithçka. Jam I kënaqur me rezultatin, por edhe me përkushtimin e futbollistëve pasi ishte një ndeshje shumë e vështirë. Kemi luajtur mirë dhe kemi ditur të vuajmë. Në fillim të takimit ishim shumë të ndrojtur dhe hasëm vështirësi, ndërsa në pjesën e dytë arritëm ta kontrollonim më shumë lojën. Pavarësisht se gjatë pjesës më të madhe u mbrojtëm, bëm kundërsulme shumë të mira dhe mendoj se e merituam fitoren”.

Më tej Ancelotti foli edhe për vendimin e tij për të zëvendësuar Cristiano Ronaldon. “Ishte një vendim që e kishim marrë përpara ndeshjes. Nuk dëshironin të merrnim rreziqe të tepërta përsipër pasi nëse do ta linim Ronaldon të luante deri në fund ai mund të kishte një lodhje të madhe të muskulit. Megjithatë jam shumë I kënaqur me atë që ai dha në fushë. Edhe pse nuk ishte në 100% e tij Cristiano u sakrifikua shumë. Mendoj se në kthim ai do të jetë shumë më mirë ashtu si edhe Bale”.

Fitorja 1-0 i jep besim Realit por nuk I garanton kualifikimin në finale, dhe trajneri Italian edhe pse ka besim te skuadra e di shumë mirë që në Gjermani do të jetë një sfidë shumë e vështirë. “Ndeshja e kthimit do të jetë shumë e vështirë. Në Gjermani duhet të luajmë po me atë dëshirë dhe besim siç bëmë në “Santiago Bernabeu”. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë atje por unë kam besim te skuadra ime”.

*************************

Trajneri i Bayern Munich, Pep Guardiola pavarësisht humbjes e cilësoi pozitive paraqitjen e skuadrës së tij në sfidën e parë gjysmfinale të Champions League me Realin. Teksa përgëzoi kundërshtarin numri 1 I stolit bavarez theksoi se shpreson që ekipi I tij të zhvillojë një ndeshje shumë më të mirë në kthim.

“Dua të përgëzoj Realin e Madridit, fituan në takimin e pare dhe neve tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mendojmë për sfidën e kthimit që do të luhet në Munich. Reali ka lojtarë shumë të shpejtë dhe është skuadra më e mirë në botë në kundërsulm. Dëshironim të kontrollonim lojën me mbajtjen e topit, por na mungoi vetëm goli. Megjithatë kemi përpara edhe një ndeshje tjetër dhe do të provojmë gjithçka”.

Guardiola më pas tregoi se çfarë u tha futbollistëve të tij para sfidës me Los Blancos. “U thashë futbollistëve të mi se dëshiroja që ata të tregoheshin të mëdhenj në fushë. Por gjithashtu e di shumë mirë se sa e vështirë është të luash përballë Realit të Madridit. Biseda me Robben? Unë flas për shumë gjëra dhe nuk më kujtohet se çfarë i thashë Robbenit”.

Por çfarë plani ka Pep për përballjen e kthimit që do të luhet në Munich të Martën e ardhshme? “Më duhet të shoh me vëmendje ndeshjen e parë por edhe takimin që do të luajë Reali në La Liga gjatë fundjavës. E rëndësishme është që në kthim do të jemi përballë publikut tonë dhe dëshirojmë që të shkojmë në Lisbonë”.