Alonso: Ferrari synon titullin kampion për pilotë dhe konstruktorë

alonso1

Në një konferencë trigjuhëshe për shtyp, në spanjisht, italisht dhe anglisht, Fernando Alonso pohoi se Ferrari i tij është në rrugën e duhur për të synuar titullin kampion për pilotë dhe konstruktorë. Pas disa rezultatesh ende larg pritshmërive në testime, dy herë kampioni i botës preferoi që të shihte vetëm njërën anë të medaljes.

“Një vit më parë, në Brazil ishim tetë të dhjetat më të ngadaltë se rivalët tanë dhe qëllimi ynë ishte që të reduktonim këtë diferencë. Është pikërisht kjo ajo që bëmë dhe edhe pse nuk jemi ende më të shpejtët në pistë, këto të dhëna tregojnë se jemi drejt rrugës së duhur. Një vit më parë mendonin se mbase nuk do të kualifikoheshim në pjesën e tretë të provave zyrtare në Itali (10 makinat më të shpejta), por sivjet e kemi këtë siguri”.

Alonso foli edhe për gomat “Pirelli”, që janë shqetësimi më i madh i të gjithë ekipeve në këtë fazë parasezonale. “Në Australi, do të jetë një ditë tjetër e rëndësishme për gomat. Megjithatë, nga prova e sotme jam i kënaqur pasi arrita të krijoja një ndjesi të mirë me gomat në disa kushte, në pistë të lakur, të thatë, me gomat e mesme të shiut dhe gjithçka shkoi mirë”.

Në fund, Alonso foli edhe për atë që do të thotë të jesh një pilot i Ferrarit. “Ka një pritshmëri të ekzagjeruar mbi përmirësimet që ne arrijmë. Sidoqoftë, në çdo situatë, ka një mori fotografësh që na presin kur dalim nga bokset dhe kjo nuk ndodh askund tjetër”.